Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel vjen sot pasdite në Kosovë për vizitë zyrtare.
Michel i cili do të qëndrojë në vendin tonë edhe nesër, vjen me një delegacion shoqërues, dhe me këtë rast, policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, policia bën me dije se në kohën e ardhjes (pasdite), për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në drejtim të kryeqytetit në rrugët ku lëviz eskorta, do të bëhet ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
“Po ashtu edhe në ditën e kthimit (pasdite) me 15 qershor, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës nga kryeqyteti në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, thotë policia.
Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.