Aktorja e famshme hollivudiane Charlize Theron ka rrëfyer një ngjarje tragjike që ka përjetuar kur ishte e re, si pasojë e dhunës në familje.
Aktorja e cila aktualisht është duke u marrë me promovimin e filmit të ri në të cilin luan, “Bombshell” ka rikujtuar natën kur nëna e saj Gerda kishte vrarë të atin e saj Charles në vetë-mbrojtje.
Duke folur për NPR’s Fresh Air, Theron ka rrëfyer se babai i saj kishte ardhur natën e ngjarjes së rëndë në shtëpi i dehur dhe se në këtë gjendje kishte gjuajtur me armë në drejtim të familjes, përmes një dere.
People shkruan se Theron ka treguar se ishte vetëm 15 vjeçare në natën e vitit 1991 kur nëna e saj ishte detyruar t’ia kthente të shtënat me armë babait të saj.
“Babai im ishte aq i dehur saqë nuk ishte në gjendje as të ecte kur mbërriti në shtëpi me një armë. Unë dhe nëna ishim në dhomë të fjetjes të mbështetura pas derës së dhomës pasi ai po përpiqej ta shtynte atë. Prandaj ne të dyja qëndronim pas derës në përpjekje për të mos lejuar atë që të hynte. Mirëpo ai ndërmori një veprim tjetër duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të derës, tri herë. Për fat të mirë, asnjë prej plumbave nuk na kapi. Mirëpo, në vetëmbrojtje, nëna u detyrua ta gjuante po ashtu me armë”, është shprehur Theron.
Ajo ka thënë se babin e saj e njihte vetëm si një njeri alkoolist dhe se nuk ndien aspak turp të flas për dhunën në familjen e saj pasi siç ka thënë, sa më shumë që të flitet për të, aq më shumë njerëzit e kuptojnë se nuk janë të vetmit që ballafaqohen me raste të dhunës.
Charlize Theron është fituese e çmimit “Oscar” si aktorja më e mirë, për rolin e saj në filmin “Monster”. Ajo është e njohur po ashtu për rolin e saj kryesor në filmin e famshëm “Mad Max: Fury Road” i cili ka fituar disa çmime “Oscar” në vitin 2016.