Chelsea – Liverpool: Luftë për të mbetur në garë për titull, Lukaku as në stol

Prishtinë | 02 Jan 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Pasi kërcënuan me një garë trifrontëshe për titull në Premierligë këtë sezon bashkë me kampionin në fuqi Manchester City, Chelsea dhe Liverpooli e gjejnë veten buzë daljes jashtë garës.

Chelsea e pret Liverpoolin në Stamford Bridge për derbin e javës së 21-të, që nis në orën 17:30, raporton Gazeta Express.

City e ka krijuar një epërsi prej 11 pikëve në krye të tabelës ndaj Chelseat dhe prej 12 pikëve ndaj Liverpoolit tashmë, megjithëse të kaltrit e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar dhe të kuqtë dy më pak.

Kushdo që mposhtet sonte në Londër rrezikon të mbetet përfundimisht jashtë garës për titull.

Chelsea i ka fituar vetëm dy prej pesë ndeshjeve të fundit, duke barazuar në tri të tjerat.

Liverpooli është pa fitore në dy ndeshjet e fundit, pas barazimit me Tottenhamin dhe humbjes ndaj Leicesterit.

Trajneri i klubit londinez Thomas Tuchel e ka lënë Romelu Lukakun jashtë ekipit për ndeshjen e sotme, pas intervistës së belgut me Sky Sports, në të cilën ai shprehu palumturinë me gjendjen e vet në Chelsea dhe dëshiron për t’u kthyer në Inter.

Alisson Becker, Roberto Firmino dhe Joel Matip mungojnë për ekipin e Jurgen Kloppit, pasi dolën pozitivë në testin për Covid-19, pak para ndeshjes.

Të ngjashme