Chelsea po përgatit një lëvizje të bujshme në merkaton e verës, me klubin londinez që raportohet se është i gatshëm të ofrojë deri në 100 milionë funte për mesfushorin e talentuar të Real Madridit, Arda Güler.
Sipas SportsBoom, interesimi i “Bluve” vjen me kërkesë të trajnerit Xabi Alonso, i cili e sheh reprezentuesin turk si një nga objektivat prioritare për forcimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, pavarësisht interesimit të madh nga Stamford Bridge, Real Madridi nuk ka asnjë qëllim të shesë 21-vjeçarin gjatë kësaj vere. Drejtuesit e klubit spanjoll e konsiderojnë Gülerin pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë dhe besojnë se ai mund të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekip.
Chelsea nuk është i vetmi klub që po monitoron situatën e talentit turk. Edhe Arsenal dhe Liverpool po ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth lojtarit, duke mbajtur të hapur mundësinë për një lëvizje në rast se kushtet ndryshojnë.
Megjithatë, sipas raportimeve, prioriteti aktual i vetë Gülerit është të qëndrojë në Santiago Bernabéu dhe të vazhdojë zhvillimin e tij te Real Madridi. Mesfushori ofensiv beson se mund të fitojë më shumë hapësira në skuadër dhe nuk po mendon për një largim në këtë fazë të karrierës së tij.
Me interesimin që po rritet nga klubet e mëdha të Premier League, e ardhmja e Arda Gülerit pritet të mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos së verës, edhe pse qëndrimi i Real Madridit për momentin duket i qartë: lojtari nuk është në shitje.