Është e ditur publikisht se këngëtaret Cher dhe Madonna, asnjëherë nuk kanë shkuar mirë me njëra-tjetrën, ndërsa zënka e tyre daton prej shumë vitesh.
Kësaj radhe, gjatë pjesëmarrjes në emisionin e Ellen DeGeneres, Cher ka treguar edhe një herë se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se edhe pas kaq shumë vitesh nuk e ka ndërruar mendimin për Mbretëreshën e muzikës pop.
Në kuadër të pjesës së emisionin “Rregulli pesë sekonda”, në të cilin mysafiri duhet ta japë përgjigjen brenda pesë sekondash, Ellen e ka pyetur këngëtaren se më kë do të dëshironte të bënte duet.
“Adele, Pink, jo me Madonnan”, ka qenë përgjigja e Cher që e bëri të qeshë nikoqiren.
Mediat amerikane raportojnë se 72-vjeçarja ka dashur të tregojë në këtë mënyrë edhe një herë se nuk e pëlqen aspak Madonnan.
Zënka e tyre ka filluar që në vitin 1991, kur gjatë një interviste për CBS, Cher e kishte dhënë mendimin e saj për Madonnan.
“Ka diçka te ajo që nuk më pëlqen. Është e keqe. Nuk më pëlqen kjo. Më kujtohet se e kam ftuar disa herë në shtëpi, sepse Sean Penn dhe unë ishim miq, ndërsa ajo ishte shumë e paedukatë. Bënte sjellje fëmijërore gjatë gjithë kohës”, kishte thënë asokohe Cher.