Që kur është hapur afati kalimtar i janarit, shumë ekipe në ligën amerikane Major League Soccer janë duke marrë përforcime për sezonin 2020. Në mesin e tyre është edhe LA Galaxy, që sipas ESPN synon ta transferojë Chichariton.
Javier Hernandez, i njohur me nofkën Chicharito, nuk është i kënaqur me minutat e lojës që po i ofrohen në Sevilla, dhe për këtë arsye ai është i gatshëm ta provojë këtë sfidë të re në SHBA.
Që kur Zlatan Ibrahimovici vendosi të mos e vazhdojë kontratën me LA Galaxy, drejtori sportiv Dennis te Kloese ka qenë në kërkim të një sulmuesi për ta zëvendësuar suedezin.
Qëllimi i LA Galaxy është ta përforcojë skuadrën në repartin e sulmit për sezonin e ardhshëm dhe ata janë të gatshëm t’i shpenzojnë dhjetë milionë euro për t’ia blerë Sevillas sulmuesin meksikan.
Gjasat që ky transferim të ndodhë janë të mëdha pasi që trajneri Julen Lopetegui nuk ka shumë besim në Chichariton dhe s’e sheh si pjesë të rëndësishme të projektit të tij.
Në ndeshjet e fundit, trajneri i Sevillas ka zgjedhur të luajë me Luuk de Jongun ose Munir El Haddadin e jo me ish-sulmuesin e Manchester Unitedit e Real Madridit. E gjitha kjo bën që e ardhmja e Chicharitos të shihet në SHBA.