Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet ka thënë se SHBA-ja e mbështet plotësisht propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një bisede telefonike që pati me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me ç’rast theksoi se pret që takimi i nesërm në Bruksel të jetë konstruktiv, me progres të dukshëm drejt marrëveshjes.
Diplomati amerikan duke i përcjellë kryetarit serb qëndrimet e Uashingtonit zyrtar para takimit të nesërm në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti theksoi se “marrëveshjet e nënshkruara më parë në procesin e dialogut duhet të zbatohen, që nënkupton edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Presidenti Vuçiq tha se pret një takim shumë të vështirë, por se Serbia është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se në këtë kontekst është e gatshme të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të propozuar me kufizime të përcaktuara qartë”, bën të ditur zyra për media e tij.
Chollet, një bisedë telefonike pati të shtunën edhe me kryeministrin Albin Kurti, gjatë së cilës tha se tash është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Zyrtari amerikan u shpreh gjithashtu se të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.