Chow Yun-fat, ylli multimilioner i ‘’Tigri dhe Dragoi’’, peshë e rëndë e periudhës së artë të kinemasë së Hong Kongut, premtoi se do të linte me testament gjithë pasurinë e tij për vepra bamirësie.
I njohur në Perëndim për ‘’Piratët e Karaibeve’’ me amerikanin Johnny Depp në 2007 apo filmin ‘’Sindikata e krimit’’ (1986), aktori nga Hong Kongu, 63 vjeç, është gjithashtu i vlerësuar nga fansat e tij për thjeshtësinë e stilit të tij të jetesës.
Multimilioner, ai hyri për herë të parë në listën e ”Forbes” të aktorëve më mirë të paguar në botë në 2015, në të njëjtin nivel me yllin e Zelandës së Re, Russell Crowe.
Pavarësisht të gjithave në Hong Kong, megalopoli ku nuk mungojnë shenjat e dukshme të pasurisë, ai mund të shihet në transportin publik apo në radhë për të blerë një biletë në kinema për të parë filmin e tij.
Ai premtoi se do të jepte gjithë pasurinë e tij, e vlerësuar nga media lokale në 5,6 miliardë dollarë të Hong Kong-ut (630 milionë euro).
Ai edhe vetë e pohoi se nuk e dinte sesa vlente.
‘’Paraja, nuk është diçka që na përket për gjithmonë. Një herë po të iki, duhet t’ua lësh të tjerëve në mënyrë që të mund t’u shërbejë atyre’’, sqaroi ai për televizionin koreano-jugor MBC, në një intervistë të transmetuar së fundmi.