Christian Bale njihet si ‘mbreti i transformimeve’, kjo për shkak të ndryshimeve ekstreme në fizikun e tij, për t’iu përshtatur roleve filmike që zgjedh për të luajtur.
Kësaj radhe, aktori anglez kishte humbur 35 kilogramë për rolin e ri dhe arriti që sërish t’i mahnitë fansat me prezantimin e tij.
Ai e luan rolin e vozitësit Ken Miles në filmin “Ford vs. Ferrari”, për nevojat e të cilit ka humbur shumë në peshë, mirëpo ka thënë se nuk do ta bëjë më, sepse është e rrezikshme për shëndetin.
“Vazhdoj ta përsëris se i kam dhënë fund (humbjes ekstreme në peshë), por tash vërtet mendoj se i kam dhënë fund”, është shprehur aktori, shkruan Telegrafi.
Kolegu i tij nga filmi “Ford vs. Ferrari”, Matt Damon, është shprehur i mahnitur me transformimet e Bale: “Jam kënaqur duke e shikuar. Ka disiplinën e një murgu, sepse është transformuar nga Dick Cheney në këtë karakter. Është dashur t’i humbë 35 kilogramë, ndërsa kjo nuk është aspak e lehtë”.
Nga ana tjetër, për rolin e Cheneyt, ai u desh të shtonte shumë në peshë, ndërsa edhe pse kishte bërë shaka duke thënë se e ka pasur të lehtë, megjithatë ka pranuar se ka qenë proces shumë i vështirë.
“Është dëshpëruese. Është e tmerrshme… Trashja është ekstremi tjetër. E humbni krejtësisht disiplinën dhe gllabëroni si i çmendur”, ka treguar Bale.