Mark Beaumont ka thyer rekordin botëror për çiklizëm përreth botës – dhe këtë e bëri për 44 ditë më shpejtë se rekordi i kaluar.
34-vjeçari, nga Perthshire, ka arritur në Paris një ditë para kohës së paraparë pasi çikloi për gati 29 mijë kilometra për 79 ditë, raporton BBC.
Ai vendosi rekord të ri botëror edhe më 2008 për 194 ditë. Që nga ajo kohë, ky rekord është thyer nga çiklistë tjerë, ndërsa i fundit ishte 123 ditë.
Për të arritur këtë synim, Markut iu desh të lëvizte me biçikletën e tij mesatarisht 386 kilometra në ditë. Iu desh të qëndrojë në biçikletën e tij për më shumë se 16 orë në ditë dhe fjeti vetëm nga pesë orë në ditë, transmeton Koha.net.
I inspiruar nga romani klasik i Jules Vernet, “Around The World In Eighty Days”, ai e nisi udhëtimin e tij në Paris më 2 korrik dhe lëvizi përmes Evropës, Rusisë, Mongolisë dhe Kinës.
Më pas ai kaloi përmes Australisë, sipër Zelandës së Re dhe përgjatë Amerikës Veriore para finishit të shpejtë përmes Portugalisë, Spanjës dhe Francës.
Gjatë rrugëtimit të tij, Marku mori edhe titullin e Rekordmenit Botëror Guinness për më së shumti lëvizje me biçikletë në një muaj, nga Parisi në Perth të Australisë, të verifikuara 11,315km.
Me të përfunduar ekspeditën, çiklisti me bazë në Edinbug, tha: “Ka qenë, pa asnjë dyshim, sfida më ndëshkuese që i kam vënë trupit dhe mendjes sime. Qëndrueshmëria fizike dhe mendore ditore ka qenë sfidë në vete, por kisha një skuadër të mrekullueshme pranë meje”.
“Suksesi i çiklizmit përreth botës në 80 ditë tregon se ajo që dukej e pamundur, është e mundshme, dhe i ka ridefinuar limitet e sportit të durimit”, shtoi ai.
Ai tha se shtegu përmes Rusisë dhe Mongolisë ka qenë territor i panjohur për të, prandaj, sipas tij, të kalosh këtë fazë dhe të shpërblehesh me dy rekorde botërore Guinness është arritje e madhe.
Gjatë udhëtimit, Marku është përballur me temperatura nën-zero gradë Celsius në hemisferën jugore dhe me smog e zjarre pyjore në Amerikën Veriore shkruan koha.
Në tërë këtë rrugëtim, ai u rrëzua dy herë – një prej tyre në Rusi kur iu desh të kryente një intervenim dentar – por në përgjithësi gjithçka shkoi sipas planit.
Ai thotë se tani do ta kishte të vështirë të ecte shkallëve sepse thotë se “nuk kam ecur që nga 2 korriku”.
Një turmë e madhe njerëzish e pritën atë në Arc de Triomphe (Porta e Triumfit) në Paris.