Cilat janë kushtet e shqiptarëve të Luginës për t’u bërë pjesë e Qeverisë në Serbi?

Prishtinë | 15 Kor 2020 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka bërë me dije se delegacioni i partive shqiptare që ishin të martën në një takim te presidenti serb Aleksandar Vuçiq ia ka paraqitur kushtet për t`u bërë pjesë e Qeverisë atje.

Për t`u përfshirë në ekzekutivin serb, ata kërkojnë pozitën e Ministrit të Pushtetit Lokal, Ndihmësministrit të Ekonomisë, Sekretarit Shtetëror në Ministrinë e Arsimit si dhe kryetarin e Trupit Koordinues atje.

“Nëse ai dëshiron t`i tregojë botës sa evropian janë si popull, është momenti i duhur ta vërtetojë me vepra. Jo më me fjalë”, ka shkruar Arifi në një postim në Facebook ku potencon  se në takim ia kanë bërë të qartë shefit të shtetit serb qëndrimet e Shqiptarëve të Luginës, transmeton Klan Kosova.

Nga ana e tij, kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se do t`i informojë përfaqësuesit e partive shqiptare në 14 ditët e ardhshme për rrjedhën e mëtejshme të formimit të Qeverisë.

Koalicioni “Alternativa e Bashkuar Demokratike Shqiptare Shqiptare” që fitori tri mandate në zgjedhjet e 21 qershorit në Serbinë përmes një letre drejtuar Vuçiqit thotë se është i interesuar për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore serbe, zgjidhjen e problemeve në arsim, zhvillimin ekonomik të rajonit, çështjet gjyqësore dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në Organin Koordinues të Qeverisë serbe për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

https://www.facebook.com/ShqiprimArifi.11/posts/2542196396093468
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme