Një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Krasniqi, ka ftuar lidershipin e kësaj partie që në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor, i cili do të mbahet këtë të shtunë, të lejojë një garë fer për të gjithë ata që shprehin interesim për ta udhëhequr partinë. Ai ka bërë me dije se vetëm në këtë mënyrë kjo parti do të dalë më e fuqishme nga ky kuvend zgjedhor. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se kandidatët konsensualë nuk i shkojnë një partie demokratike. “Zakonisht partitë demokratike nuk kanë nevojë për kandidat konsensual. Të mërkurën e pashë debatin e Partisë Demokratike në ShBA, ku 20 kandidatë pretendojnë kreun e partisë dhe postin e presidentit. Ishte një debat dramatik në Detroit, ku secili shpaloste aspektet e programit të vet. Besoj se mënyra më e mirë e testimit të demokracisë së brendshme është që të ketë më shumë kandidatë dhe të jetë një garë korrekte, në të cilën mund do të fitojë më i miri. Pastaj të gjithë të bashkohen me kandidatin që do të fitojë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka deklaruar se statuti aktual i partisë e favorizon liderin e partisë për të qenë sërish kryetar. “Absurdi është që në statutin e partisë e kanë futur normën që praktikisht mund të ketë vetëm një kandidat. Nëse kuvendi i ka mbi 350 delegatë dhe nëse për të kandiduar për kryetar të LDK-së kërkohen nënshkrimet e mbi 50 për qind të delegatëve, i bie që nuk ka mundësi të jenë dy kandidatë. Pra, qëllimisht është futur kjo normë në statut, në mënyrë që të pengohet gara demokratike”, është shprehur Krasniqi. Ai ka vlerësuar se me udhëheqjen e Isa Mustafës, në LDK është ngulitur një mentalitet i vjetër.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, LDK-ja Kuvendin e Nëntë Zgjedhor do ta ketë të shtunën. Si një ndër themeluesit e kësaj partie në bazë të rrethanave ekzistuese, si prisni të shkojë ky kuvend?
Krasniqi: Ky kuvend është i rregullt dhe, si i tillë, do të duhej të kalonte në një procedurë krejt normale. Nuk e kuptoj pse e kanë ngatërruar aq keq procesin e kandidimit të kandidatëve për kreun e partisë, ku zakonisht partitë i bëjnë transparente shumë më herët kandidaturat. Në këtë mënyrë kandidatët zakonisht paraqesin programet e tyre para anëtarësisë së partisë. Bile në rastin e LDK-së kjo do të duhej të ishte edhe më transparente, sepse pretendohet që kryetari i ardhshëm i LDK-së të jetë edhe kryeministër i vendit. Pra, këtu nuk ka qenë vetëm interesi i anëtarësisë së LDK-së, por edhe interesi i të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta dinë se kush do të jetë kryetari i LDK-së. Por, mënyra që kanë zgjedhur më duket se është një mentalitet i vjetër, është një skemë e vjetër e partive të deklasuara historikisht, të cilat kanë bërë zgjedhje tinëz, natën me kandidatura e marrëveshje të fshehta.
“Epoka e re”: Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së që është mbajtur të enjten është thënë se po punohet për gjetjen e një kandidati konsensual. Kush mund të jetë, sipas jush, kandidat konsensual?
Krasniqi: Zakonisht partitë demokratike nuk kanë nevojë për kandidat konsensual. Të mërkurën e pashë debatin e Partisë Demokratike në ShBA, ku 20 kandidatë pretendojnë kreun e partisë dhe postin e presidentit. Ishte një debat dramatik në Detroit, ku secili shpaloste aspektet e programit të tij. Besoj se mënyra më e mirë e testimit të demokracisë së brendshme është që të ketë më shumë kandidatë dhe të jetë një garë korrekte, në të cilën mund të fitojë më i miri. Pastaj të gjithë të bashkohen me kandidatin që do të fitojë. Ne tani e pamë rastin e Partisë Konservatore në Britani, në momentin që Johanson fitoi, kundërkandidati i tij ishte i pari që ia uroi detyrën. Por në LDK tanimë është ngulitur një mentalitet i vjetër, i cili nuk do të duhej të ishte. LDK-ja është një parti e vjetër që ka disa vlera demokratike. Kam përshtypjen se me udhëheqjen e fundit të Isa Mustafës ka një kthim prapa në vlerat demokratike në këtë parti.
“Epoka e re”: Deri më tani publikisht disa zyrtarë të lartë të LDK-së kanë shprehur gatishmërinë për të kandiduar për të parin e partisë. Cilin e shihni më favorit?
Krasniqi: Absurdi është që në statutin e partisë e kanë futur normën që praktikisht mund të ketë vetëm një kandidat. Nëse kuvendi i ka mbi 350 delegatë dhe nëse për të kandiduar për kryetar të LDK-së kërkohen nënshkrimet e mbi 50 për qind të delegatëve, i bie që nuk ka mundësi të jenë dy kandidatë. Pra, qëllimisht është futur kjo normë në statut, në mënyrë që të pengohet gara demokratike. Prandaj, në këtë aspekt është zor të parashikohet, sepse kufizimet në statut janë të atilla që favorizojnë një kandidat. Kur kemi favorizime të një kandidati, zakonisht favorizohet ai që është kryetar i partisë.
“Epoka e re”: Dhe në bazë të kësaj i bie që z. Mustafa mund të jetë prapë kryetar i LDK-së?
Krasniqi: Nuk e di, por norma statutare të cilën ai e ka futur në statut, faktikisht këtë nënkuptim e ka. Përndryshe, mendoj se edhe kandidatët e tjerë janë të kualifikuar për ta drejtuar partinë, si presidenti Sejdiu, Haziri dhe Veliu. Këto janë figura të vjetra dhe figura prominente të LDK-së, të cilat janë edhe figura autentike të LDK-së. Nëse mendohet që LDK-ja të dalë edhe më e fuqishme nga ky kuvend duhet të lejohen kandidaturat e gjithë atyre që aspirojnë dhe pastaj të fitojë ai që merr vota më së shumti.
“Epoka e re”: Kufizimi i kandidaturave, sa mund ta nxisë përçarjen në këtë parti?
Krasniqi: Kjo normë statutare e ka krijuar pikërisht këtë lloj konfliktualiteti, sepse duke e mbajtur favorizimin e një kandidati, në fakt ka krijuar frustrime në kuvend, siç ndodhi herën e kaluar kur nuk iu lejua kandidatura Vjosa Osmanit. Jam i bindur se zgjidhja më e mirë për LDK-në ka qenë që të futet në statut parimi një anëtar një votë. Në këtë rast, lideri do të kishte legjitimitetin e plotë të përfaqësimit. Kështu rrezikohet që grupet e ndryshme të interesit të bëjnë koalicione joparimore dhe të zgjedhin kryetar dikë që i ka ofertuar më shumë grupet e interesit, ose të ketë ashpërsim të komunikimit, eventualisht edhe fraksione.
“Epoka e re”: Në bazë të sondazheve del se LDK-ja është partia e parë në vend. Sa do të ndikojë mbarëvajtja e këtij kuvendi në reprezentimin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme të cilat pritet të mbahen së shpejti?
Krasniqi: Nëse LDK-ja del nga kuvendi pa konflikte dhe pa ndonjë fraksion, realisht ajo mund të jetë partia kryesore në zgjedhjet e ardhshme. Ndoshta pikërisht edhe për këtë arsye edhe janë rritur apetitet e shumë kandidatëve dhe shumë grupeve. Mendoj se ata do të manifestojnë mençuri dhe të mos shkaktojnë përçarje, sepse në atë rast do të dëmtohej e gjithë partia. Dhe jo vetëm partia, por edhe procesi politik në Kosovë. Realisht LDK-ja është një parti që ka një traditë, një mision dhe, si e tillë, është e dobishme dhe është në interes të zhvillimit të vlerave demokratike në Kosovë. Si një prej themelueseve të kësaj partie, shpresoj se LDK-ja ta kalojë këtë kuvend në mënyrën e duhur, të dalë me një udhëheqje legjitime dhe pastaj të kontribuojë për proceset e ardhshme demokratike në vend