Dua të ndihmoj për rritjen e ndjeshmërisë së një kulture, që besoj fort që është bërë, ndonjëherë, totalisht e mpirë ndaj dhimbjes së të tjerëve, duke kontribuar në një ndjenjë të përgjithshme apatie ndaj njëri-tjetrit.
Kam parë me sytë e mi negativitetin, urrejtjen dhe armiqësinë që mund të fermentohen në Internet për shkak të mungesës së mirëkuptimit dhe dhembshurisë – një shkëputje totale mes një titulli dhe një familjeje që qëndron prapa tij.
Cikli 24-orësh i lajmeve krijon një nevojë për përmbajtje që mund t’i shtyjë njerëzit e medias që ndonjëherë të veprojnë me papërgjegjshmëri në raportimin e tyre, për shkak se janë duke konkurruar me gazetarët amatorë që shfaqen aty-këtu nëpër blogje, në çdo qoshe të internetit. Ai krijon gjithashtu një ndjesi të rremë lidhjeje. Breshëria konstante dhe përsëritja e pafundme e informacionit krijojnë iluzionin se mund të kesh qasje tek cilido dhe tek gjithçka, në çast, sa hap e mbyll sytë. Dhe ndonëse tragjeditë që media ndan me ne lexuesit dhe shikuesit nuk na kanë ndodhur ne, ne i marrim sikur kështu është – humbjen, zemërimin, dashurinë, padrejtësinë. Ne e ndjejmë thellësisht. Dhe pastaj, ja ashtu sa hap e mbyll sytë, kalojmë tek lajmi tjetër, duke lënë pas një familje të trazuar.
A e kemi ngatërruar vijën ndarëse mes “të drejtës së publikut për t’u informuar” dhe dhunimit të privatësisë? A kemi mbërritur deri aty sa të besojmë se, vetëm për shkak se një lajm na ka dalë në facebook apo instagram, ne jemi të detyruar ta ndajmë, të komentojmë, të pëlqejmë, ta ripostojmë? A e pyesim ndonjëherë veten pse e bëjmë këtë? Dhe kë po prekim kur e bëjmë?
Mënyra se si media zbret në një familje të ndjerë në krizë mund t’ua rrëmbejë atyre pikëllimin. Katapultimi i një familjeje, në zi, para kamerave mund të jetë mizor dhe dhunues. Por ndonjëherë mizoria më e madhe qëndron në pasojat e vazhdueshme të informacionit të pasaktë, thashethemeve për të vdekurit dhe supozimeve dhe debateve që ato ndezin.
(Shkëputur nga libri i Kim Goldman “Cirku i Medias: Një vështrim mbi tragjeditë private në sytë e publikut”)