Çitaku: Kurti e ka shndërruar zyrën e shtetit në zyrë partie

Prishtinë | 03 Pri 2025 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar takimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, me kryetarët e partive të pakicave jo serbe në Zyrën e Kryeministrit.

Çitaku tha imagjinojeni sikur Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj apo kusho tjetër përpara Kurtit të kishte bërë atë që po e bën ai sot.

“Imagjinojeni një Kryeministër që, në vend se të shërbejë popullin, e shndërron zyrën e shtetit në zyrë partie. Që përdor pushtetin e tij për të zhvilluar pazare politike prapa dyerve të mbyllura. Që thërret përfaqësues të komuniteteve jo-shumicë, jo për t’i dëgjuar, por për t’i nënshtruar. Jo për dialog, por për presion”.

“Albin, Kosova nuk është parti. Kosova nuk është pronë. Ti nuk je mbi ligjin. Nuk je mbi Kushtetutën. Nuk je mbi dinjitetin e këtij populli që ka vuajtur për demokraci, jo për t’u shndërruar në spektatorë të një partie që kërkon të kontrollojë gjithçka”, shkroi Çitaku.

Më tej, ajo u shpreh se me këto veprime, Kurti po i shkel ligjet e po i përbuz traditat.

“Po i përdhos parimet që dikur i mbroje me pasion. Albin, me këtë qasje, fundi yt politik nuk do të jetë vetëm një dështim, do të jetë i turpshëm. Historia nuk fal. Populli nuk harron”, shkroi Çitaku.

Të ngjashme