Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministri Albin Kurti, i cili në një konferencë për medie, fajësoi një zotim të vitit 2013 (kur FSK-ja nuk kishte status të ushtrisë) të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, pse institucionet r sigurisë nuk mundën të parashikojnë dhe parandalojnë sulmet si ai në Banjskë dhe atë mbi kanalin e Ibër Lepencit para dy ditësh.
Sipas Kurtit, kjo marrëveshje e kaluar ka krijuar një disavantazh për institucionet e Kosovës në veri.
Në një postim në Facebook, Vlora Çitaku i kërkoi kryeministrit Kurti që të ndalojë sulmet ndaj Thaçit, duke kujtuar se ish-presidenti është aktualisht në një betejë tjetër të rëndësishme.
POSTIMI I PLOTË:
I nderuari Kryeministër,
Armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj.
Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në.
Ato vendime që janë në funksion të fuqizimit të Republikës i mbështesim edhe ne.
E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë.