Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër dhe me dhimbje të thellë pas ngjarjes tronditëse ku një grua dhe vëllai i saj u vranë nga bashkëshorti i saj në Gjilan.
Përmes një mesazhi publik, Çitaku e ka cilësuar këtë krim si të papranueshëm, duke theksuar se kjo ngjarje është një pasqyrë e hidhur e sfidave reale që përballet shoqëria në luftën për barazi dhe mbrojtjen e jetës së grave.
“Tronditëse. E dhimbshme. E papranueshme. Një grua dhe vëllai i saj u vranë nga bashkëshorti i saj. Dy jetë të këputura. Dy familje të goditura nga një dhimbje e papërshkrueshme,” ka shkruar Çitaku.
Ajo ka vënë në dukje se fuqizimi i grave nuk duhet të matet vetëm me prezencën e tyre në pozita udhëheqëse apo në zyrat e kryeqytetit, por me sigurinë dhe lirinë që gëzojnë në çdo cep të vendit.
“Kemi zgjedhur tri gra Presidente. Krenohemi me arritjet tona dhe i themi vetes se kemi bërë shumë për fuqizimin e grave. Por vjen një goditje si kjo dhe e kupton sa larg jemi ende nga barazia e vërtetë, sa shumë punë kemi përpara dhe sa thellë janë rrënjosur ende mendësitë që e cenojnë jetën, lirinë dhe dinjitetin e gruas. Gratë nuk fuqizohen vetëm në Prishtinë, në zyra e në institucione… Gruaja është vërtet e barabartë dhe e pavarur vetëm atëherë kur e ka këtë të drejtë në çdo qytet e në çdo fshat, në çdo familje e në çdo rrethanë,” ka nërvizuar ajo.
Më tej, Çitaku ka bërë thirrje që shoqëria të ndalojë arsyetimin apo relativizimin e dhunës ndaj grave, duke theksuar se asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë një krim të tillë.
“Mbi të gjitha, kur shoqëria nuk kërkon motive për ta shpjeguar dhunën, nuk e fajëson viktimën dhe nuk e relativizon krimin. Asnjë motiv nuk e arsyeton dhunën. Asnjë rrethanë nuk e justifikon vrasjen. Dhe asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetën e saj për të drejtën për të qenë e lirë,” deklaroi ajo.
Ajo e ka përmbyllur reagimin e saj duke shprehur ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe duke bërë thirrje për revoltë qytetare ndaj dukurive të tilla.
“Sa e rëndë. Sa tronditëse. Sa shumë dhimbje. Dhe sa shumë arsye për revoltë. Dhimbje pafund për viktimat dhe familjet e tyre,” përfundoi Çitaku.