Çitaku: Pavarësia e Kosovës është e lidhur me Thaçin, ti Albin çfarë ke bërë

Prishtinë | 30 Dhj 2024 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, ku e përmendi përsëri letrën e Hashim Thaçit dërguar ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Ajo e ka akuzuar Kurtin për sulm ndaj Thaçit dhe ka thënë se Pavarësia e Kosovës është e lidhur pashmangshëm me Thaçin. 

“Mbrëmë zgjodhe sërish të sulmosh Hashim Thaçin. Keqardhje për ty. Historia nuk rishkruhet as me fjalë, as me urrejtje. Ushtria e Kosovës e ka gjenezën në UÇK-në, TMK-në dhe FSK-në. Në të gjitha këto faza të transformimit, ti ke qenë një vrojtues destruktiv ose pasiv. Pavarësia e Kosovës është e lidhur pashmangshëm me Hashim Thaçin, me të gjitha sukseset dhe sfidat që e shoqëruan atë proces”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Kurti të dielën ka thënë se skandali më i madh që e ka kuptuar në mandatin e parë, ishte letra e ish-kryeministrit Hashim Thaçi dërguar ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ku thuhet se FSK-ja nuk do të shkojë në veri të Kosovës.

Çitaku e ka pyetur Kurtin “por ti, Albin, çfarë ke bërë?”.

“Pse nuk shkrove historinë tënde? Pse nuk e bëre Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës, të NATO-s, apo të organizatave të tjera ndërkombëtare që i sigurojnë vendit përparim dhe stabilitet?”

“Sot, Kosova është në terr, pa rrymë, e izoluar dhe e përjashtuar. Populli nuk të zgjodhi për të ndarë fajtorë apo për të ushqyer urrejtje, por për të dhënë zgjidhje dhe për të ndërtuar të ardhmen. Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja, Albin. Kjo të bën mirë – dhe do t’i bëjë mirë edhe Kosovës”, ka shkruar Çitaku.

Të ngjashme