Çitaku për vrasjet: Kërkojmë veprime konkrete për rikthimin e rendit dhe sigurisë

Prishtinë | 02 Pri 2025 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shprehu shqetësimin për shtimin e krimit në Kosovë, duke

kërkuar veprime konkrete për rikthimin e rendit dhe sigurisë pas vrasjeve të fundit që kanë tronditur vendin.

“Çdo mëngjes po zgjohemi me lajme tronditëse: dhunë, krim, vrasje.

Jetët e qytetarëve tanë po shuhen një nga një, në rrugë, në shtëpi, në vendin e punës, dhe askush nuk po mban përgjegjësi.

Mbrëmë, në një akt që trondit thellë ndërgjegjen e çdo qytetari, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra në hyrje të shtëpisë së tij.

Një njeri i uniformës, simbol i rendit dhe sigurisë, u bë viktimë në vendin që duhej ta kishte më të shenjtë: në prag të shtëpisë së tij.

Kjo nuk është më thjesht mungesë rendi, kjo është alarm kombëtar.

Institucionet janë të heshtura. Qeveria është e paralizuar. Krimi është i lirë, qytetari është i pambrojtur.

Shteti po dështon para syve tanë çdo ditë, çdo orë.

Dhe çdo ditë që kalon pa përgjegjësi, pa veprim, është ftesë për më shumë dhunë, për më shumë vrasje, për më shumë pasiguri.

Nuk ka më kohë për deklarata boshe. Duhet veprim. Duhet përgjegjësi. Duhet të rikthehet shteti.

Përndryshe, shumë shpejt, askush nuk do të ndihet i sigurt askund”, shkroi në facebook nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Të ngjashme