Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nis hetim parlamentar dhe të inteligjencës për raportimet e konfirmuara se Shërbimi Sekret serb ka provuar ta vrasë ish-raportuesin në Këshillin e Evropës, Dick Marty për t’ia vënë fajin kosovarëve.
Çitaku ka shkruar se raporti i Martyt mbi krimet e luftës në Kosovë është i ushqyer nga shërbimet inteligjente serbe.
“Qeveria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet parlamentare dhe të inteligjencës për raportet e konfirmuara tani se shërbimet serbe u përpoqën të vrisnin Dick Martin për t’ia hedhur fajin UÇK-së. Ai është i njohur për një raport të dyshimtë mbi krimet e luftës, i cili është ushqyer edhe nga shërbimet inteligjente serbe. Çështje e kalbur”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe, “Mise au Point” ka nxjerr një hulumtim për Dick Martyn, ku zbulohet që ish-prokurori i njohur zviceran, është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe dhe e gjitha kjo t’i vishet kosovarëve, me të vetmin qëllim, diskreditimin e Kosovës.
Për pasojë, sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.
E përditshmja zvicerane Tagesanzeiger, ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi që rreziku për jetën e tij është shumë i madh.
Marty, në Ballkan njihet më së miri, për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tani, ai është nën mbrojtje 24-orëshe nga forcat ushtarake zvicerane.
Vetë Marty ka folur për këtë situatë.
“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka theksuar ai.
Kosovo gov must immediately start parliamentary and intelligence inquiry into now confirmed reports that Serbian services tried to kill Dick Marty to throw blame to KLA. He is known for a questionable report on war crimes that was also fed by Serbian intel services. Rotten affair
— Vlora Çitaku 🌻 (@vloracitaku) April 14, 2022