Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se “shtizat” nuk i kanë për partitë e tjera opozitare, ndërsa garën e ngushtë e sheh ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje. Beson se qeverinë, pas zgjedhjeve, do ta udhëheqë kandidati i PDK-së, Bedri Hamza.
Çitaku në një bisedë me Ekonomia Online ka theksuar domosdoshmërinë për të shkuar në zgjedhje sa më parë, për shkak të dëmeve që po i shkaktohen vendit nga Qeveria Kurti.
Sipas ish-ministres së Integrimit, ka regres të madh në ekonomi në këto tri vjet e gjysmë, aleatët tanë kanë humbur besimin në udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe për fajin e kësaj qeverie po ndodh migrim masiv.
Ajo ka mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion pas zgjedhjeve.
“Nuk ka asnjë lloj marrëveshje mes PDK-së dhe LVV-së, përveç kërkesës sonë si PDK që vendi sa më parë të shkojë në zgjedhje dhe mandati t’u kthehet qytetarëve. Kjo jo si dëshirë, por si nevojë dhe si domosdoshmëri. Vendi është në stagnim, kemi shënuar një regres të frikshëm në ekonomi, parametrat në migrim janë të tmerrshme, aleatët tanë kanë humbur besimin tek udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ne po insistojmë që të kemi zgjedhje sa më parë në mënyre që të ndalet ky degradim. Nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, nuk jemi në garë me të, ne jemi në garë me Albin Kurtin dhe LVV, dhe po synojmë që mandatin të ua kthejmë qytetarëve në mënyrë që Kosovës t’i vijë një qeverisje e përgjegjshme në krye me kryeministrin e ardhshëm Bedri Hamza”, thotë Çitaku.
Çitaku thotë se mundësia e vetme që të shkohet në zgjedhje, është përmes shpërndarjes së Kuvendit, teksa dorëheqjen e Kurtit s’e sheh të realizueshme, ndërsa përmend faktin se opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë.
Kritikat i hedh edhe në adresë të partive të tjera opozitare, për të cilat thotë se nuk e kanë qëllimin e njëjtë, shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
“Situata është shumë e thjesht, tani për tani mënyra e vetme për të shkuar në zgjedhje është shpërndarja e Kuvendit. Për shkarkim të qeverisë nuk i kemi votat. E tërë opozita bashkë i ka 40 deputetë, ndërkaq dorëheqja nuk diktohet nga kërkesa jonë, ajo është vendim i kryeministrit aktual dhe nëse të gjithë po pajtohemi që Kosova i ka punët keq, që vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, atëherë prioriteti ynë duhet të jetë qëllimi, e qëllimi është organizimi i zgjedhjeve sa më parë, megjithatë kam dron që dritarja për një vendim të tillë po ngushtohet, megjithatë jemi munduar që në këtë proces si PDK të jemi konsistent në kërkesën tonë për zgjedhjet e reja qysh nga korriku i vitit të kaluar dhe të jemi bashkëpunues e përafrues dhe mos ta përdorim këtë situatë për të sulmuar njëri-tjetrin fare”, thotë tutje Çitaku.
Koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, Çitaku e sheh jetike për funksionalizimin e shtetit. Këtë fakt e sheh si të munguar për fajin e Qeverisë Kurti. Ajo përmend edhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
“Imagjinoni në vitin 2024, Kosova është nën sanksione nga BE-ja. Imagjino në vitin 2024m Kosova është e përjashtuar nga shumë nisma të BE-së dhe kjo si rezultat i një qasje tërësisht të papërgjegjshme të kryeministrit dhe qeverisë që ai e drejton. Në shekullin të cilin jetojmë, aleancat janë po aq të rëndësishme sa edhe sovraniteti. Jetojmë me një kohë ku koordinimi mes partnerëve dhe aleatëve është domosdoshmëri jo vetëm dëshirë, është domosdoshmëri, është nevojë. ShBA-të koordinohen me Kinën, Japoninë, me Gjermanin, me Francën. Është krejt e natyrshme koordinimi, nuk është subërdënim mirëpo fatkeqësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, bartësit e institucioneve të Kosovës duket se këto aleanca këto raporte i kanë marrë si të mirëqenë, aleancat nuk janë të mirëqena, ato duhet të kultivohen dhe duhet të mirëmbahen”, u shpreh Çitaku.
Qeverisjen trevjeçare të Albin Kurtit, Çitaku e kualifikon si të padijshme dhe të papërgjegjshme. Thotë se për fajin e ekzekutivit, po ndodh migrimi masiv. Ajo thotë se partia në pushtet ka bërë përpjekje për ta polarizuar edhe më tej shoqërinë kosovare.
“Demet janë në shumë fusha dhe fatkeqësisht nuk është që kemi pasur ndonjë sukses sepse sukseset të institucioneve të Republikës së Kosovës, do duhej tu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht kjo qeverisje në rastin më të butë do të mund të kualifikohej si e padijshme, e pa përgjegjshme dhe një administratore e dobët e taksave tona. Dëmi më i madh që VV-ja i ka shkaktuar Kosovës dhe kjo jo vetëm tre vite, është polarizimi i skajshëm i shoqërisë, lehtësia e padurueshme me të cilën janë përdorur fjalë të rënda të papranueshme në diskursin politik dhe publik, humbja e besimit të aleatëve në Kosovë dhe në fund fare si rezultat i një situate kaotike, një amullie kemi parë edhe humbjen e shpresës së qytetareve të vendit dhe një migrim masiv i cili do duhej të ishte brenga jonë më e madhe”, deklaroi ajo.