Manchester City i ka dhënë Giovanni van Bronckhorstit një pozitë të rëndësishme në klub, ndërsa krerët e klubit janë duke u përgatitur për jetën pas Pep Guardiolas.
Van Bronckhorst ka lënë rolin e kryetrajnerit te Feyenoordi në fund të stinorit të kaluar dhe kishte planifikuar të merrte një vit pushim nga futboll.
Mirëpo, pasi kaloi fillimisht një muaj prapa skenave te Manchester City, ai tash ka firmosur kontratë me klubin kampion të Anglisë.
Plani është që holandezi të mbetet në klub sa më gjatë të jetë e mundur dhe ta zëvendësojë Pep Guardiolan pas një largimi eventual, shkruan “Daily Mail”.
Spanjolli ka kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2021 dhe bisedimet për vazhdim të kontratës ende nuk kanë nisur.
Van Bronckhorst fillimisht kishte punuar si ndihmës i Ronald Koemanit, ndërsa mori drejtimin e Feyenoordit në mars të vitit 2015. Ai e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të Holandës në vitin 2017 dhe drejt dy kupave të Holandës.
Van Bronckhorst është i familjarizuar me dy vendimmarrësit kyç te Manchester City, me shefin ekzekutiv Feran Sorianon dhe drejtorin sportiv Txiki Begiristain, me të cilët kishte kaluar kohë bashkë te Barcelona pasi iu bashkua nga Arsenali në vitin 2003.
Shpresa është që ai të ndjekë rrugë të ngjashme si Patrick Vieira, që kishte një aranzhim të ngjashëm pas pensionimit në vitin 2011 dhe punoi me grupmoshat e reja para se të merrte drejtimin e New York City FC.
Plani është që holandezi të mbetet te Manchester City, dhe nëse përshtatet mirë, atëherë edhe t’i besohet roli i kryetrajnerit pas Guardiolas.