Është shumë me rëndësi qartësimi i definicioneve se çka është, si është, si interpretohet, si kuptohet, si nënkuptohet dhe çka në të vërtet është.
Dilema të tilla ligjvënësit tanë na sjellin çdo ditë, duke përdorë definicione të ndryshme për të njëjtin organ. Shumica e definicioneve formulohen nëpër punëtori, pa u konsultuar ligjet ekzistuese në fuqi, pa marrë parasysh se çfarë konfuzioni mundë të sjell një fjalë ndryshe në definicion.
Këtu mundë ti shohim dallimet në përkufizime për Organin e Kujdestarisë, në ligjet në fuqi në Kosovë.
Ligji i parë bazik i zhvilluar pasluftës në Kosovë, ka qenë Ligji i Familjes, e që krahas tij pa asnjë koordinim është zhvilluar edhe Ligji për Shërbimet Sociale dhe Familjen.
Organi i Kujdestarisë – është një organ komunal administrativ kompetent për çështje sociale. Ai përbëhet nga një grup i ekspertëve me përvojë profesionale në fushën e veçantë të përgjegjësisë. (Ligji për Familjen i Kosovës)
Organi i Kujdestarisë – është organ komunal profesional kompetent për çështje sociale, përgjegjës për mbrojtjen e interesave të fëmijëve dhe të rriturve, i përbërë nga një grup ekspertësh që vepron në kuadër të Qendrës për Punë Sociale. (Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shërbime sociale dhe familjare)
Organ i kujdestarisë – organi përgjegjës që vepron në kuadër të Qendrës për Punë Sociale i cili është përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve. (Kodi i Drejtësisë për të Mitur)
Organi i kujdestarisë – nënkupton organin përgjegjës që vepron në kuadër të Qendrës për Punë Sociale përgjegjës për mbrojtjen e fëmijës; (Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës)
Koment: Organi i Kujdestarisë a është organ administrativ apo profesional
Ligji i familjes e paraqet organin e kujdestarisë organ administrativ, ligji i shërbimeve sociale dhe familjes organ profesional, kodi i drejtësisë për të mitur dhe projektligji për mbrojtjen e fëmijëve organ profesional.
Çka është Qendra për Punë Sociale
Qendra për Punë Sociale (QPS) – është institucion publik profesional i nivelit komunal, kompetente për mbrojtjen e qytetarëve në nevojë sociale. (Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shërbime sociale dhe familjare)
Qendra për Punë Sociale (QPS) – nënkupton institucionin publik profesional, të nivelit komunal, kompetentë edhe për mbrojtjen e fëmijës në nevojë; (Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës)
Dallimi në këtë definicion është se në Ligjin për shërbimet sociale dhe familjare i përfshinë në mbrojte gjithë qytetarët, përderisa në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve e ngushtohet vetëm në mbrojtjen e fëmijëve.
Këta dy shembuj janë vetëm për ilustrim përderisa ligjet tona kanë shumë paqartësi dhe dykuptimësi për të njëjtën materie.
Në praktikë, profesionistët dëgjohen shumë shpesh duke e përdorë termin Organ i Kujdestarisë apo Qendra për Punë Sociale, ku krijohet përshtypja se kemi të bëjmë për të njëjtën gjë, njëjtë sikur pasigurinë e shprehur mes fjalës Statut dhe Status?!
Mos koordinimi i Qeveris dhe Ministrive të linjës në zhvillim të legjislacionit në njërën anë, pjesëmarrja në grupe punues të personave jo kompetentë, mungesa e inspektimit dhe kontrollit nga zyrat ligjore të ligjeve të publikuara, imponimi i “ekspertëve” nga donatorët e ndryshëm, përkthyesit jo profesionistë kanë shkaktuar shumë probleme në legjislacion kosovar.
Shumë pak ligje i kanë të zhvilluar komentuesit, që është shumë e domosdoshme ta kenë, pikërisht për shkak të formulimeve të ndryshme për të njëjtin organ.
Shtrohet pyetja, a është shumë e vështirë që në një vend të vogël si Kosova, të mos mundemi ta kemi një definicionin përmbledhës, unik dhe standard të Organit të Kujdestarisë.
(Autori është drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë)