Ka shumë debate sa i përket çështjes së dietave të shëndetshme.
Veganët besojnë se shmangia e produkteve të kafshëve është dieta më e mirë, ndërkaq entuziastët e dietës ketogjenike duan të hanë vetëm yndyrë ep proteina, transmeton Telegrafi.
Por, ekziston një produkt që ndjekësit e thuajse çdo diete synojnë ta shmangin: sheqerin.
Heqja dorë nga sheqeri është sfiduese sepse ky produkt gjendet në vendet më të papritura, siç është salca e domates, burgerët vegjetarianë, etj.
Megjithatë, siç tregojnë ekspertët shëndetësorë, nëse arrini të hiqni dorë nga sheqeri artificial, trupi do të përfitojë thuajse menjëherë.
Brenda një jave ju do të keni shtypje më të ulët të gjakut, nivele më të shëndetshme të yndyrës dhe nivele më të shëndetshme të insulinës.
Normalisht, mënyra se si trupi reagon ndaj mungesës së sheqerit varet nga ajo se sa sheqer konsumoni për momentin – dhe nga ajo se a konsumoni karbohidrate.
P.sh. trupi i përpunon karbohidratet komplekse, si pemët dhe tërshërën, në sheqerna të thjeshtë që i përdorë si energji.
Por, çfarë nëse i shmangni të gjitha ushqimet e larta të glikemisë, siç provojnë ta bëjnë entuziastët e dietës ketogjenike?
Për këta, ekspertët thonë se do t’i keni tri ditë të vështira.
Fillimisht, me siguri se do të ëndërroni për ëmbëlsira, nëse veç jeni një person që rregullisht hani gjëra të ëmbla në mëngjes apo darkë. Kjo ndodh sepse nuk keni sheqer për të ndihmuar ta stimuluar trurin.
Ndonëse mund të ndiheni më të trazuar, faktikisht ka shumë gjëra të mira që janë duke i ndodhur trupit tuaj gjatë asaj kohe.
Insulina, hormoni që e rregullon glukozën, zvogëlohet dhe bëhet më stabile. Në fillim do të ndiheni më të lodhur e të përgjumur, por kjo fazë kalon brenda pak ditëve.
Adrenalina do të rritet dhe do t’ju ndihmojë ta përpunoni glikogjenin, apo sheqerin, që gjendet në trup. Kjo menjëherë pastaj lirohet në sistemin tuaj të gjakut.
Përgjatë kësaj do të kaloni në më pak se 24 orë. Brenda tre deri pesë ditëve, mëlçia do të fillojë të prodhojë ketone nga yndyra sepse nuk do të ketë më glukozë, kështu që trupi do t’i përdorë ketonet si burim kryesor i energjisë.
Kjo është faza kur trupi futet në gjendjen e njohur si ketozë apo në gjendjen ku e djegë yndyrën për të pasur energji.
Si rezultat i kësaj, ju mund të përjetoni ngërçe në muskuj sepse jeni duke humbur ujë kur jeni në ketozë pasi e keni lënë sheqerin. Disa njerëz mund të përjetojnë grip ketogjenike, që shoqërohet me dhimbje koke, lodhje, etj. – por që zgjatë rreth një javë!
Posa të kalojë kjo periudhë, ju do të keni më shumë energji, do të jeni më të përqendruar dhe më të qetë.