Shkruan: Abit Hoxha
Sot është vështirë të dallohen lajmet e vërteta nga ato të pavërteta apo falso. Karakterizimi i lajmeve si “fake news“ apo lajme falso është i vështirë për marrësit e lajmeve, pasi që këto si të tilla servohen nga media sociale dhe rrjetet tjera mediale duke i bërë këto lajme atraktive dhe të shkruara në mënyrë të tillë që nuk janë as të vërteta, por nuk janë as komplet të pavërteta.
Algoritmet e mediave sociale pastaj e kanë të pamundur të filtrojnë lajmet e tilla (Buzzfeed, Twitter, Facebook etj) dhe si të tilla, ato e konstruktojnë realitetin e ri, që nuk bazohet në fakte por në projeksione më shumë emocionale të dëshirave se sa të realitetit. Kjo prandaj edhe quhet „realiteti i post-vërtetës“, (post-truth reality). Bile, fjalori i Oksfordit e zgjodhi fjalë të vitit 2016 fjalën post-vërtetë.
Taktika e lajmeve fallso varion nga zhvendosja e vëmendjes, manipulimi dhe de-legjitimimi i çështjeve, situatave apo personaliteteve.
Së shpejti, gjigandët e medias sociale (Facebook) do të sinjalizojnë lajmet e pasigurta të cilat nuk kanë origjinë legjitime, ndërsa sipas gazetës The Guardian, Melissa Zimdars, një profesoreshë e Komunikimit dhe Medias ka krijuar një listë të ueb-faqeve që qëllimisht publikojnë informacione jo të besueshme apo falso. Kjo listë përmban edhe këshilla se si t’i ikim lajmeve falso dhe t’i verifikojmë lajmet.
Rastet e mëdha të lajmeve falso u përmendën gjatë fushatës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara si dhe gjatë Brexit-it. Në veçanti ishte interesante rasti i disa të rinjve nga Maqedonia që arritën jo vetëm të krijonin një shumë të madhe të të ardhurave nga lajmet e tilla, por edhe të kenë ndikim në zgjedhjet në ShBA, duke krijuar disa qindra ueb faqe për të projektuar lajme të fabrikuara. Në rastin e Maqedonisë, sipas një raporti të BBC, këto lajme u kopjuan nga ueb faqet e lëvizjeve të djathta në ShBA për t’i transmetuar pastaj si të vërteta.
Një protagonist i intervistuar nga BBC ka deklaruar se nuk është e rëndësishme nëse këto lajme ishin të vërteta, por e rëndësishme ishte se ata gjeneronin para.
Opinioni në Kosovë gjithashtu po përballet me lajme të tilla edhe pse në shkallë më pak të frekuentuar. Lajmet për shumë raste sensacionalizohen përmes tentimit për gjenerimin e lexueshmërisë deri në atë masë që harrohet lajmi i cili transmetohet. Pra, moskoordinimi i tekstit me titullin në njëfarë forme është edhe hapi i parë i lajmeve falso, ndërsa fabrikimi i tekstit, mos-përmendja e burimit, shtrembërimit të informacionit, keqinterpretimi i numrave dhe të tjera bien nën definicionin e lajmeve falso.
Fatkeqësisht, edhe krijimi i mediave online në Kosovë është i afektuar nga këto zhvillime dhe krijon opinione të gabuara si dhe perceptime të pasakta për situatën në Kosovë.
Kjo mund të ketë efekt drastik edhe në zgjedhjet e ardhshme. Duke parë fokusin e mediave në shembullin e zgjedhjeve në një komunë të vogël në Kosovë, ku përqendrimi ishte sipërfaqësor dhe nuk raportonte në esencën e programeve dhe planeve të kandidatëve, por në gabimet e të folurës dhe satirën e krijuar nga këto situata, gjasat janë se fokusi i mediave në zgjedhjet e ardhshme në çëshjet e rëndësishme programore do të jetë i vogël.
Shembulli se si lajmet e pavërteta merren seriozisht janë edhe portalet satirike, që marrin pëlqime dhe shpërndarje me mbishkrime dhe komente për lajme si të vërteta ndërsa ato janë lajme satirike dhe të trilluara.
Të gjitha këto kontribuojnë në krijimin e një situate që nuk është realitet, ndërsa merret si realitet, rrjedhimisht që është “post-vërtetë”. Problemi kryesor qëndron aty se me ndërmjetësimin e lajmeve falso dhe krijimin e situatës ku e vërteta nuk është më e rëndësishme, devijimi i shoqërisë është më i mundshëm dhe më i afërt.