Dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme. Nuk u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se do ta njoftojnë presidenten, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë dorëzuar dorëheqjen.
Nga ana tjetër, partitë opozitare dolën me qëndrimin se anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet në Ekzekutiv.
Krasniqi: Logjika e VV-së për shkelje të Kushtetutës nuk kalon në Kuvend
Pas seancës së ndërprerë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se logjika e Vetëvendosjes për shkelje të Kushtetutës nuk kalon në Kuvend.
“Situata është e paprecedent, sepse vetë e kanë bërë ligjin pa votat tona. Është çështje e thjeshtë: logjika e tyre për të shkelur Kushtetutën nuk mund të kalojë në Kuvend. Kjo kohë ka kaluar, sepse për katër vjet e kanë shkelur dhe është dashur t’i çonim në Gjykatën Kushtetuese. Me logjikën e Kurtit, atëherë edhe kryetarët e komunave që janë zgjedhur si deputetë do të duhej të bëheshin deputetë. Kurti le ta japë dorëheqjen, është shumë e thjeshtë, dhe mund të regjistrohet si deputet. Por, nuk mund të jetë njëkohësisht kryeministër dhe deputet. Vetë e kanë shkruar ligjin dhe tani po tentojnë ta shkelin. Kjo është antikushtetuese”, tha Krasniqi.
Abdixhiku: S’ka edhe deputet, edhe kryeministër
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi qëndrimin e Lëvzijes Vetëvendosje. Ai tha se nuk mund të jesh edhe deputet, edhe kryeministër.
“Po përballemi me një episod të errët politik, sepse partia fituese nuk po respekton Kushtetutën e vendit, e cila thotë qartë se një person nuk mund të jetë njëkohësisht kryeministër dhe deputet. LDK-ja do të votojë raportin menjëherë sapo të jepen dorëheqjet. Nëse e votojmë raportin pa u bërë dorëheqjet, dikush mund ta rrëzojë Qeverinë dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Deputetët tanë kanë dhënë dorëheqje. Jehona Lushaku e ka dorëzuar dorëheqjen dhe ka ardhur për të bërë votimin. Jepni dorëheqje, mos krijoni probleme të panevojshme politike, ejani në seancë dhe zgjidhja bëhet menjëherë”, tha Abdixhiku.
Haradinaj: Konstituimi i Kuvendit u bllokua nga Kurti, s’mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë Albin Kurti, duke theksuar se nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht.
“Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, shkroi kreu i AAK-së.
Kurti: Opozita me sulm brendainstitucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, reagoi ashpër pas votës kundër të partive opozitare ndaj raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve. Ai e cilësoi si një sulm institucional ndaj Republikës së Kosovës.
“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot’, tha Kurti.
Kurti, me të dalë nga objekti i Kuvendit të Kosovës, tha vetëm shkurt se e ka dhënë më herët deklaratën, duke iu referuar deklaratës së publikuar në rrjetin social Facebook.
“E kam dhënë një deklaratë tashmë të shkurtër, të cilën mund ta lexoni”, ka thënë Kurti.