Çka na tregojnë shefat e grupeve parlamentare për frymën e brendshme te partive politike në Kosovë?

| 10 Tet 2022 | 17:57 | Nga

Është interesant të analizohen prirjet dhe tendencat e partive politike parlamentare duke u bazuar edhe në faktin se kush janë drejtuesit e grupeve të tyre parlamentare. Pra të tentohet të kuptohet fryma e tyre brendshme, modeli i vendimmarrjes dhe koniunkturat “sekrete”, pikërisht nga mënyra se si përzgjidhen përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Me një fjalë vetë substrati i tyre etik dhe politik.

Bie fjala, emërimi i Mimoza Kusarit, si Shefe e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tregon se tashmë në këtë parti të gjitha parimet paraprake janë shthurur. Kriteret janë shkelur. Sepse në rrethana tjera, personi në fjalë, as nuk do të kishte mundur të jetë në listën zgjedhore të këtij subjekti, e lëre më të përzgjidhet drejtuese e tij në legjislativ. Kjo tregon se për këtë parti nuk ka më rëndësi se kush je? Kush ke qenë? Kujt i ke shërbyer? Apo çfarë bindje ideologjike dhe politike mbron, në momentin që i nënshtrohesh liderit të partisë, gjithçka është e lejueshme. Kushti është; të jesh i përdorshëm konform interesave të tij momentale ditore politike. Kjo kakofoni e pasqyron gjendjen ku është katandisur tashmë ajo parti. Ajo ekziston si një grup amorf politik, pa identitetit të qartë ideologjik, dhe çdo gjë mund të instrumentalizohet nga sensi cinik i pushtetit. Bindjet, vetëdija dhe standardet e aksionit të dikurshëm politik kolektiv, janë humneruar si kullë prej rëre, nga gjeratorja e vullnetit për pushet.

Kurse, në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës, me emërimin e Abelard Tahirit në krye të Grupit të saj Parlamentar, ndonëse ky i fundit, një figurë tradicionale në këtë parti, e tejçon një mesazh tjetër. Simbolikisht si përfaqësues i saj kryesor duhet të jetë dikush qe e ka pamjen edhe aurën e një biznisimeni milioner. Pra fryma e oligarkisë politike shndërrohet në kusht kryesor për avancim partiak. Nuk kanë rëndësi vlerat tjera. Ato duhet t’i subordinohen këtij kriteri. Mund të jesh i shurdhër ndaj thirrjeve të vetëdijes politike, historike dhe njohurive ideologjike, por për aq sa operon sipas logjikës së biznesmenit politikan, të hapën dyert e karrierës. Partia e merr pamjen e korporatës.

Investuesit e saj bëhen menaxherët e saj. Çdo gjë zhvillohet sipas qarkut të mbyllur të kapitalit dhe botës së financave. Madje spekulohet, se Abelardi e kishte fituar këtë pozitë me rekomandimin e një figure tjetër të fuqishme brenda partisë, Sami Lushtakut. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këtu vihet në pah edhe pesha që e ushtron mentaliteti krahinor brenda këtij subjekti sa i përket vendimmarrjes politike në emërimin e kuadrit përfaqësues politik. Sepse të dy janë nga i njëjti rajon, rajoni i Drenicës. Dëshmi kjo, e “sintezës” bizare ndërmjet kapitalit, financave, investimit dhe krahinarizmit, si thelbi i logjikës “post-politike” të PDK-së.

LDK ka ndjekur një qasje tjetër. Me emërimin e Arben Gashit, një figurë, që kohë pas kohë e përdor një fjalor të përçart dhe të përcipt ideologjiko-politik djathtist, tenton ta përçojë mesazhin se është në kërkim të konservimit dhe thellimit të parimeve të kësaj tradite politike, me anë të figurave të saj tradicionale. Dhe se këtë identitetit politik kolektiv partiak mund ta përfaqësojnë më së miri ai kuadër që ka bërë një karrierë politike për një kohë të gjatë në radhët e saj. Prandaj edhe reprezentimi në legjislativ duhet ta shpreh këtë tendecë.

Aleanca e ka ngarkuar Besnik Tahirin në këtë detyrë. Siç e tregon edhe emri i tij, atë e ka dalluar besnikëria konstante ndaj liderit të partisë. Më shumë se mbi konsiderata tjera, ky emërim reflekton konceptet patriarkale dominuese politike të këtij subjekti. Partia i ngjason familjes së madhe të themeluesit të saj. Kurse njëri nga anëtarët më luajal dhe të devotshëm emërohet në rolin e menaxhimit publik parlamentar. Çdo gjë merr jetë dhe zhvillohet brenda kësaj imagjinate.

Parimisht, emërime të tilla na tregojnë sot, më në mënyrë simbolike, për logjikën politike që qenëson brenda subjekteve parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Dhe që dëshmon se partitë si subjekte demokratike, deliberative dhe të hapura, ku individët kanë mundësi të barabarta mbesin një ideal që ndodhen larg realitetit të zymtë kosovar.

Të ngjashme