Ditë më parë, Qeveria e Kosovës miratoi koncept-dokumentin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, dokument ky i propozuar nga Ministria e Ekonomisë.
Ky koncept-dokument, sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, ka për qëllim të arrijë përmirësimin e infrastrukturës ligjore me qëllim të rritjes së furnizimit me energji të pastër, e gjithashtu edhe rritjen e sigurimit të furnizimit me energji në vend, përcjell Buletini Ekonomik.
Por, përveç këtyre, koncept-dokumenti i miratuar për burimet e ripërtëritshme, ka për synim edhe promovimin e inovacionit teknologjik, ofrimin e mundësive për punësim dhe zhvillim rajonal përmes industrisë së energjisë së pastër në Kosovë.
Në një njoftim nga Ministria e Ekonomisë, thuhet se qëllimi i politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë është promovimi i shfrytëzimit ekonomik e të qëndrueshëm të potencialeve vendore të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në funksion të plotësimit të nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ndër tjerash, nga ministria në fjalë u tha edhe se krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që synohet të arrihet nëpërmjet teknologjisë dhe energjisë së pastër e të përballueshme, është njëra prej prioriteteve kryesore të planit qeverisës 2021-2025 të Qeverisë aktuale.