Çka përfshin marrëveshja për shtensionim? BE tregon një fjali që s’e përmendi Qeveria

Prishtinë | 12 Kor 2023 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Brenda dy javësh pritet të shtensionohet situata në veri, në bazë të një marrëveshjeje të arritur ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak. Qeveria tregoi pikat e marrëveshjes por nuk e përfshiu një detaj. Nga Brukseli i treguan Expressit se marrëveshja e obligon Kosovën që të “mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e patën një takim të mirë të hënën në Bratisllavë, i cili rezultoi me një dakordim për shtensionimin e situatës në veri.

Qeveria konfirmoi të hënën marrëveshjen e arritur.

Zyrtarja e BE-së, Zoï Muletier i tha Gazetës Express se Bislimi dhe Petkoviq u pajtuan në takimin jozyrtar për hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për shtensionimin e situatës, duke përmendur edhe një fjali që s’e tha Qeveria.

“Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 3 qershorit të BE-së”, tha Muletier.

“Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha”, shtoi ajo.

Fushat për të cilat u morën vesh Bislimi e Lajçak përfshijnë “zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale”. Gjithashtu, siç i tha Muletier Gazetës Express, Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”. Po ashtu, Kosova duhet të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme lokale.

“Emisari i ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për t’i vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë që zbatimi i plotë i Marrëveshjes të fillojë pa vonesë të mëtejshme”, thotë Muletier.

Çfarë tha Qeveria?

Zyra e Kryeministrit njoftoi të martën në darkë për rezultatin e takimit ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit europian, Miroslav Lajçak.

Qeveria në një komunikatë të lëshuar rreth orës 10:00 i përmendi të njëjtat pika si BE-ja për marrëveshjen e shtensionimit, por nuk përmendi pjesën që Kosova është pajtuar që të “mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”. Kështu e përshkruan Ekzekutivi pikën e parë të dakordimit me BE-në.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në pikën e dytë, sipas Qeverisë.

Qeveria gjithashtu është pajtuar, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

Pika e fundit ka të bëjë me takimin ndërmjet Bislimit e Petkoviqit.

“Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Të ngjashme