Çka po ndodhë me 20-përqindëshin e punëtorëve të “Rilindjes”?

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 17:40 | Nga Zeqir Bekolli

Pas një periudhe të stërzgjatur, vitin e shkuar përfunduan listat përfundimatre të punëtorëve të ndërmarrjes “Rilindja”, për 20 për qindëshin. Në vitet  2019, përkatësisht 2020,  kur ndodhi procedura e privatizimit të njësive të ndërmarrjes “Rilindja”: “Rrjeti i Shitjes” dhe “Shtypshkronja” si dhe shitja e aseteve të tyre (prej të cilave nisen të përfitojnë punëtorëve e këtyre njësive), vitin  e shkuar, nga shtatori e deri në nëntor, përfundoi edhe procesi i listave përfundimatre të 8 njësive gazetare botuese që vepruan në Pallat, të cilin e mori Qeveria për nevojat e saj. Për dallim nga hapsirat ku vepruan “Shtypshkronja” dhe “Shitja”, që iu nënshtruan procesit të privatizimit, Pallati iu nënshtrua procesit të likuidimit, që është natyrë tjetër, nga hapsirat e “Shtypshkronjes” dhe “Shitjes”.

Për pjesën e Pallatit, ku vepruan 8 njësi, në mesin e të cilave edhe gazeta “Rilindja”, Qeveria, bazuar në një vendim që pat marrë Qeveria Haradinaj, (brenda 3 vitesh t’ju paguheshin mjetet e 20 për qindëshit punonjëve të Pallatit), ka derdhur mjetet e saja për këtë qëllim në AKP, të cilat për habi mbahen pa asnjë të drejtë dhe  nuk iu shpërndahen punëtorëve, që vepruan në Pallat. Ta zëmë, nga shtatori gazetarët e punëtorët e gazetës “Rilindja” presin ta marrin hisen e tyre, por çuditërisht kjo nuk ndodhë! Edhe pse disa herë është kërkuar përgjigje nga AKP-ja, kjo nuk ka ndodhë, arsyet e së cilës më saktë mund t’i dijnë vetëm ata.

Loja me dinjitetin e punëtorëve nuk është risi për këtë institucion, që vepron sikur të mos jetë pjesë e shtetit dhe në shërbim të punëtorëve, por pronë e atyre që harrojnë se nuk janë asgjë më shumë pos një servis në shërbim të punëtorëve. Gjatë procesit të hartimit të listave janë vënë re edhe dukuri e përpjekje për të futur nëpër lista edhe emra që nuk kanë qenë pjesë e njësive, siç ishte rasti në gazetën “Rilindja”, ku gjatë finalizimit u gjetën nja 22 emra të ndërmarrjeve tjera, madje edhe të atillë, të pa njohur për kolektivin e gazetës.

Krejt kjo “lojë” me punëtorët po dyshohet se po bëhet me qëllim të një pritjeje absurde, mos po bie Qeveria, për të vepruar në stilin, kur “Mungon maçoku , minjtë bëjnë valle”! Ose tjetra, për t’i bërë nervozë punëtorët apo për t’i detyruar ata që të ngrehin padi nëpër gjykata ndaj AKP-së, në mënyrë që pastaj të zvarritet procesi, kurse në përfundim të epilogut në dobi të punëtorëve, Qeveria të paguan shifra dhe kamata të larta, ku do të “përfitojnë” edhe zingjirët jashta njësive!

Dhe së fundi, kjo zvarritje e paarsyeshme përbën edhe shkelje ligjore, për të cilën askush nuk jep llogari, madje as Qeveria e cila është kompetente, nuk e kthen kokën ndaj një dukurie të tillë, ku ka vend edhe për hetuesi.

Të ngjashme