Takimi i 14 shtatorit 2023 në Bruksel duket se do të ketë në qendër vetëm deeskalimin e krizës në veriun e Kosovës. Pse? Sepse rreziku nga një konflikt i armatosur ndërmjet serbëve lokalë dhe qeverisë së Kosovës është pezull. Gjendja ekzistuese nuk mund të mbahet gjatë, pa shpërthyer me incidente.
Shpërthimi i konfliktit i konvenon regjimit të Vuçiqit, i cili është nën presionin e opozitës për zgjedhje të reja, nën presionin e Perëndimit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nën presionin e Rusisë për të mbetur i lidhur pas qerres ruse. Pra, Vuçiqi është brenda një shtjelle të presioneve të kundërvëna, ku një konflikt i armatosur në Kosovë do ta ndihmonte të mbetej në pushtet dhe të ruante ekuilibrat e tashëm jologjikë dhe artificialë.
Fatkeqësisht, konfliktin po e sponsorizon edhe Qeveria Kurti, sepse duke u treguar ”i fortë përballë Serbisë”, po fiton poena në sytë e qytetarëve. Prirja narciziste e Albin Kurtit më shumë e merr parasysh imazhin e tij në publik sesa interesin shtetëror të Kosovës.
(Paradoksalisht politikën e tij narciziste në veri, po e mirëmban duke abuzuar edhe dy minoritarë, njëri ministër i pushtetit lokal e tjetri kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut)
E treta, viktimë e strategjisë fashiste të Vuçiqit dhe e lojës narciziste të Kurtit, është KFOR, i cili po mbahet peng, veçmas rreth objektit të komunës së Leposaviqit. Ndërsa SHBA e BE duke kalkuluar që ta realizojnë Asociacionin me Vuciqin e me Kurtin, po i tolerojnë deri në absurditet, sa që po duket se Vuçiqi e Kurti po tallen me ta.
Nuk dihet kush do të qesh i fundit, por nga sa po shihet, Vuçiqi nuk pranon asgjë dhe Kurti nuk guxon ta realizojë Asociacionin. E kjo do të thotë se takimet janë punë e kotë, për të blerë kohë ndërkombëtarët e për të rritur rejtingun Vuçiqi e Kurti.
Viktima kryesore është dhe mbetet Kosova, e cila është nën masat e BE-së dhe siç ka paralajmëruar sot Gabriel Eskobari, mund të ketë ftohje raportesh me SHBA dhe mbetje në distancë me NATO-n.
Po qytetarët shqiptarë të Kosovës, a janë humbës a fitues? Qytetarët po duken ose indiferentë ose të kënaqur. Arsyeja e indiferencës dhe kënaqshmërisë së tyre është se nga propaganda qeveritare po tentojnë ta shërojnë traumën e gjenocidit serb, pra, po u pëlqen të duket sikur Kosova është e fortë përballë Serbisë (ka që krenohen se Kosova i ka dy drona!)
Shumë qytetarë janë indiferentë ngase më shumë varen nga remitencat, sesa nga politikat qeveritare, e cila thjesht nuk u intereson. Dhe ajo që është më e hidhura, janë në pritje që të ikin nga Kosova.
Po të ishim cinikë do të thonim se qeveria ka vendosur të mos lëshojë pe deri sa të ikën edhe shqiptari i fundit nga Kosova. Në fakt, kur qeveria punon pa presionin e qytetarëve të vet, ajo nuk arrinë ta kuptojë se po e fundosë interesin shtetëror. Janë filma që janë parë më herët, anekënd botës.