Ndryshimi i masës së sigurisë nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ish-policin e Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq, i cili u bë pretekst që serbët t’i bllokojnë rrugët në Veri të Kosovës për 20 ditë rresht, duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve “detyroi” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të udhëtoi për në Rashkë, për të takuar serbët e Kosovës.
Si një “dramaturg” i vërtet, Vuçiq me asnjë pikë buzëqeshje në fytyrën e tij udhëtoi nga Beogradi drejt një qyteti shumë afër kufirit me Kosovën i shoqëruar me Ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Vuçiç, i cili rëndom viktimizohet para fillimit të takimit me serbët të cilët ishin mbledhur në një sallë duke pritur shefin e tyre, deklaroi se “do ta respektojë vendimin e serbëve, cilido qoftë ai” duke shtuar se serbët nga Kosova “deri në çlirimin përfundimtar nuk do të kënaqen me asnjë vendim”.
Takimi në fjalë i cili u prit të përfundojë shpejtë, zgjati shumë, kjo pasi që sipas Vuçiq takimi me serbët të cilët deri në minutën e fundit kanë insistuar që barrikadat të mbesin aty ku janë, “ka qenë shumë i vështirë, por i sinqertë”.
Prandaj ka deklaruar Vuçiq, se pas këtyre bisedimeve jo të lehta, serbët nga Kosovë janë pajtuar që t’i largojnë barrikadat në katër komunat veriore të Kosovës, kjo falë garancisë që ky i fundit u ka dhënë atyre.
Megjithatë ai paraprakisht tha se kërkesë e tij drejtuar serbëve për largimin e barrikadave buron nga fakti se Serbia ka arritur të marrë të gjitha garancitë nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe cilësimin e barrikadave si mjete paqësore.
Akoma më e rëndësishme në gjithë këtë mes, sipas Vuçiç, ishte garancia që mori Beogradi nga komuniteti ndërkombëtar se asnjë nga personat që vendosën barrikadat dhe i mbrojtën ato të armatosur nuk do të ndiqen nga autoritetet e Kosovës.
Vuçiç përveç garancive, gjatë fjalimit të tij nga kazerma ushtarake në Rashkë, ka premtuar serbëve se pa marrë parasysh se çfarë mund të ndodhë në veri “Kosova është Serbi dhe nuk do të jetë kurrë diçka tjetër”, duke dëshmuar kështu se ai ende nuk është çliruar nga mitet dhe iluzionet për Kosovën.
Presidenti serb ndërkohë që ka vazhduar adresimin e tij mes tjerash ka deklaruar se nëse “arrestimet e terrorit” ndaj serbëve vazhdojnë, Veriu i Kosovës, si asnjëherë tjetër, do të barrikadohet kështu duke mbyllur çdo kanal komunikimi me Qeverinë e Kosovës.
“Do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe kjo rrjedhimisht do të jetë kufiri me Kosovën”, ka pretenduar ndër të tjera Vuçiç.
Më tej Vuçiç bëri të ditur se kërkesa e tij ndaj serbëve të Kosovës për heqjen e barrikadave, nuk duhet të kuptohet se tashmë Serbia po heq dorë nga Asociacioni i Komunave me Shumicës Serbe.
Ai madje nënvizoi faktin se kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës do të bëhet atëherë vetëm kur Prishtina zyrtar fillon krijimin e Asociacionit.
Fjalimin e tij, Vuçiç, nuk e përfundoi edhe pa i thumbuar zyrtarët shtetërorë të Kosovës, duke thënë se të njëjtit po bëjnë gabime sikur serbët në kohën e regjimit të Millosheviç’it.
“Shqiptarët bëjnë gabime si ne dikur. Duan t’i dëbojnë të gjithë, nuk duan të krijojnë besim, por të mposhtin serbët me dhunë. Ata nuk do të flasin dhe të kërkojnë një zgjidhje kompromisi. Edhe ne ndonjëherë kemi bërë gabime të tilla dhe ne e kemi paguar shtrenjtë”.
Në fund Vuçiç e ka cilësuar si një “fitore simbolike”, lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiç, nga paraburgimi, i cili tashmë me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë do të mbrohet në liri.
Kështu një ditë pas plotësimit të njërës nga kushtet e barrikaduesve, serbët me “aminin” e Vuçiqit i përforcuar edhe me garancitë ndërkombëtare kanë filluar heqjen graduale të barrikadave të vendosura qysh nga 10 dhjetori.