Kosova mund ta ruajë sigurinë e vet vetëm përmes zhvillimit ekonomik.
Sa më shumë investime ekonomike që tëheq, sidomos nga ShBA, aq më e madhe do të jetë siguria e saj.
Këto kanë qenë disa nga porositë kryesore të mikut të madh të shqiptarëve që më 1999 udhëhoqi fushatën e NATO-s, Wesley Clark.
Në një bashkëbisedim online të zhvilluar nga Oda Ekonomike e Kosovës, me rastin e 26-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate ka folur për disa nga sfidat me të cilat përballet vendi ynë.
Sipas tij, Kosova është në një pozicion strategjik të rëndësishëm dhe, për fat të mirë, NATO është e vendosur aty për shkak të paqëndrueshmërisë në rajon.
“Në njëfarë mënyre, Kosova është ‘kanarina në minierën e thëngillit’. Ju jeni paralajmërimi i parë i kërcënimeve ndaj stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Clark.
Ish-gjenerali amerikan ka vlerësuar se gjëja më e rëndësishme për forcimin e sigurisë së Kosovës është zhvillimi dhe rritja ekonomike.
“Sa më shumë vende pune të krijoni, sa më shumë investime që mund të tërhiqni, sidomos aso amerikane, aq më e madhe do të jetë siguria”, ka theksuar Clark.
Më tej, ai ka nënvizuar se Kosova duhet ta forcojë shtetin e së drejtës, duke e bërë atë të dukshëm e duke e forcuar besimin e biznesit.
Sipas Clarkut, Kosova ka ende mundësi të mëdha për ta përmirësuar pozitën e saj sa i përket energjisë elektrike.
“Asnjëherë nuk duhet të jetë opsion blerja e energjisë nga jashtë Kosovës duke pasur parasysh rezervat e saj me bollëk të linjitit, ajo duhet të jetë një prodhues i energjisë për rajonin. Keni disa nga rezervat më të mira të linjitit në botë”, ka thënë mes të tjerash ai.
Përkundër këshillave nga miku amerikan i shqiptarëve për rritje investimesh, sidomos atyre amerikane, Qeveria e Kurtit në katër vitet e saj të qeverisjes e ka bërë të kundërtën.
Ajo e kishte shkelmuar njërin nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë, siç ishte projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ nga kompania amerikane ‘Contour Global’.
Fill pas ardhjes në pushtet të Kurtit, Qeveria e tij e kishte përmbushur zotimin e vet se “Contour Global nuk do të vijë në shprehje”.
Bëhej fjalë për një nga investimet më të mëdha që pritej të bëhej në Kosovë, në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh, nga i cili do të përftohej një termocentral modern me kapacitet prej 500 megavatësh.
Shkëputja e kontratës ishte cilësuar si alamet arritje nga Kurti, megjithëse Qeveria e Kosovës u detyrua të paguante 21 milionë euro pasi Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023.