Cleveland Cavaliers tregon forcën në një nga ndeshjet më emocionuese të NBA. Finalistët e sezonit të kaluar iu imponuan 99:121 Boston Celtics.
Ndeshja ishte e ekuilibruar në periodën e parë, por në atë pasardhëse miqtë falë LeBron James, që e mbylli ndeshjen me 24 pikë, 10 asiste dhe 8 rikuperime, morën kryesimin për të mos e lëshuar deri në fund, duke fituar me plot 22 pikë diferencë.
Tjetër sukses për Houston Rockets, që kaloi 104:97 Dallas Mavericks. Vendasit e bënë diferencën në pjesën e dytë, gjithsesi pa u sforcuar shumë, me James Harden që e mbylli takimin si më i miri mbi parket me 27 pikë.
Ndihmëse të madhe në fitoren e Rockets dha edhe Chris Paul me 25 pikë, 9 asiste dhe 8 rikuperime.
Nuk zhgënjen as Oklahoma City Thunder përballë Memphis Grizzlies me rezultatin 110 – 92. Perioda e parë ishte e mrekullueshme për të zotët e shtëpisë, që në fund të saj krijuan një diferencë prej 17 pikësh, 35:18.
Ritmi vijoi tepër i lartë, me Grizzlies që tentuan përmbysjen në periodën e tretë. Gjithsesi në minutat e fundit të takimit bie itensiteti, duke u lejuar Thunder që të administronin avantazhin. Paul George spikati në këtë ndeshje me 33 pikë.
Në takimet e tjera Charlotte Hornets dështoi ndaj Toronto Raptors 103-123. Kanadezët e patën të lehtë suksesin me dyshen DeRozan – Miles, me 49 pikë në total.
Atlanta Hawks fitoi me vështirësi 118:115 ndaj Detroit Pistons, Indiana Pacers – New York Knicks përfundoi 121:113, takim ku spikati Oladipo me 30 pikë, 9 asiste dhe 8 rikuperime, Minnesota Timberwolves iu imponua Sacramento Kings 111:106 dhe Portland Trail Blazers u dorëzua ndaj Utah Jazz 96:115.