“Këtij binomi që keni para jush i përket e ardhmja”, iu tha gazetarëve Albin Kurti, pasi nënshkroi në krah të Vjosa Osmanit koalicionin e përbashkët për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Ajo çka prezantuan këtë të enjte, lideri i Vetëvendosjes dhe bartësja e listës së një grupi të larguarish nga e djathta rugoviste, u paketua me mantelin e një ambicieje shumë më të madhe sesa sfida e elektorale që kishin përpara.
Dy njerëzit më të votuar në sfidën e 6 tetorit 2019 shpallën dy synime. i pari arritja e një shumice të cilësuar dhe e dyta sigurimin e postit të presidentit përpos atij të kryeministrit.
Pikërisht për këtë, gjatë konferencës së shtypit, Albin Kurti ngulmoi pothuajse në çdo fjali se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një referendum për ndryshimin e fytyrës së shtetit dhe la disa herë të kuptohet se qytetarët e kishin presidenten e vet (megjithëse aktualisht në detyrë) të cilën, gara elektorale, do të shërbente vetëm për ta rikonfirmuar.
Natyrisht, lideri i Vetëvendosjes i detyrohet moralisht qëndrimeve të Vjosës. Mënyra se si ajo ruajti të pakorruptuar frymën e ndryshimit që qytetarët kërkuan në zgjedhjet e shkuara, papërkulshmëria që tregoi ndaj pleqve pazarxhinj të LDK-së, karta e besueshmërisë që i shtoi kredos, se qeveria Kurti u rrëzua nga një kastë e kapsve të shtetit në kundërshtim me vullnetin popullor, nuk ishin pak.
Por sado e mbarsur me moral të jetë mirnjohja, vijësjellja dhe hierarkia e vlerave të Vetëvendosjes, në zgjedhjen politike për të propozuar Vjosa Osmani si presidente të ardhshme të Kosovës ka edhe synime të ftohta taktike.
Kushdo e di se ky është një mision teorikisht i pamundur. Që kuvendi i ardhshëm të zgjedhë kreun e ri të shtetit, ai duhet të krijojë një shumicë të cilësuar prej 81 deputetësh. Kjo nuk ka ngjarë kurrë më parë në shtetin e pavarur dhe për këtë gjithmonë janë kërkuar marrëveshje politike.
Madje deri më sot, në Kosovë, përveç të ndjerit Ibrahim Rugova që vazhdoi të korrte rezultate plebishitare edhe pas luftës, asnjëra nga partitë nuk ka arritur kurë të fitojë në zgjedhje as shumicën e thjeshtë.
Atëherë përse Albini me Vjosën po rreken të kapërcejnë ylberin duke synuar të marrin, me një garë të vetme edhe postin e kryeministrit edhe atë të presidentit? Pse ata kanë shpallur se do të kërkojnë të fitojnë 3/5 e deputetëve të parlamentit të ri që duhen për arritjen e këtyre objektivave.
Një përgjigje e kësaj dilem mund të gjendet në slloganin e famshëm të studentëve protestues të majit ’68 në Francë: “bëhuni realistë, ëndërroni të pamundurën”.
Aleatët e sapo pagëzuar, me synimet që shpallën duken ftohtësisht realistë. Ata janë të ndërgjegjshëm se nuk do arrijnë dot mbi 80 mandate. Ata e dinë se Vjosa nuk do të mund të bëhet presidente vetëm me votat e koalicionit që sapo themeloi.
Por duke shpallur këtë objektiv të pamundur ata arrijnë një efekt psikologjik. Ata bëjnë mbizotëruese idenë se loja tashmë ka përfunduar dhe “binomi të cilit i përket e ardhmja” e ka të fituar shumicën e thjeshtë. Vetëm kështu ata mund të entuziazmojnë të vetët dhe të demoralizojnë kundërshtarët duke arritur atë që është synimi real, krijimi i një shumice të thjeshtë, të aftë për të qeverisur vendin pa pengesa.