Ndonëse ka edhe tre ndeshje për të luajtur në kampionat, Roma është me mendjen në Tiranë, ku më 25 maj do të luajë finalen e Conference League ndaj Feyenoord, finalja e parë evropiane për verdhekuqtë, që prej vitit 1991, raporton Corriere dello Sport.
Interesi për sfidën në “Air Albania” është jashtëzakonisht i lartë nga tifozëritë e të dy klubeve, të cilat do të kenë në dispozicion nga 4000 bileta secila për finalen e madhe, megjithatë mbi 20 mijë italianë janë të gatshëm të zbarkojnë në Tiranë.
Klubi i Romës ka dhuruar bileta për 166 tifozët që asistuan në Norvegji për humbjen 6-1 ndaj Bodo/Glimt, ndërsa të tjerat i ka shitur me short për tifozët që kanë pasur një kartë abonimi për sezonin aktual.
Megjithatë jo të gjithë ata që kanë siguruar një biletë, kanë ndërmend të vijnë në Tiranë, pasi disa prej tyre i kanë nxjerrë në shitje në “ebay” për çmime që shkojnë nga 800 deri në 10 mijë euro.
Shifra këto të jashtëzakonshme, aq sa ka nisur edhe një protestë e tifozëve të Romës në rrjetet sociale, të cilët janë ankuar për mënyrën e përzgjedhjes së fansave që u pajisën me një biletë.
Ndërkohë UEFA pritet të hapë nesër shitjen e lirë për rreth 10 mijë bileta, të cilat mund të blihen vetëm në sajtin zyrtar të qeverisë evropiane të futbollit dhe kryesisht për ata që kanë bërë një regjistrim paraprak.