Çmimet e inputeve bujqësore u rritën për 3.4%

Prishtinë | 10 Gus 2016 | 14:54 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e dytë të këtij viti ( TM2 2016).

Produktet, që e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

Indeksi i tremujorit të dytë të inputeve në vitin 2016 ka rënie për (-1.4%) për Input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Ndërsa, Indeksi për Input 2 ka rritje për 11.1%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Ndërkaq, Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 3.4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, në tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) nga ASK.

Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajëra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.

Sa i përket Input 2, mallra dhe shërbime që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat (ndërtesat e fermës, punët e tjera, përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat e tjera, struktura e tyre) dhe të tjera, bën të ditur ASK, nëpërmes një komunikate shtypi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme