Çmimet e konsumit shënojnë rënie të lehtë

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 12:29 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin maj të vitit 2017.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend pësoi rënie në një mesatare prej (-0.8%) në muajin maj 2017, krahasuar me muajin prill 2017.

Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (-9.1%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-14.9%)-(rënie e çmimit të energjisë elektrike) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.0%) në IHÇK.

Rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupi i pemëve për (8.7%) me një ndikim prej 0.2 % në IHÇK.

Shkalla e inflacionit në vend e matur në muajin maj 2017 me muajin maj 2016 ishte 1.5%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.5% në muajin maj 2017, krahasuar me muajin maj 2016. Kjo kryesisht është shpjeguar me disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: mishi (1.1%); qumështi, djathi dhe vezët (4.4%); pemët (13.1%); sheqeri dhe ëmbëlsirat (7.9%); kafja, çaji dhe kakao (7.8%); uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1.3%); duhani (5.5%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (7.1%) – (ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.9% në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: perimet (-3.4%); rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (-1.3%); blerja e automjeteve (-1.7%); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.1%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4%) në IHÇK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme