Rritja e çmimeve të produkteve bazike ka vazhduar ka qenë e dukshme, sidomos gjatë muajve të fundit, raporton Ekonomia Online. Çmimet e produkteve si buka, qumështi, vezët dhe mishrat kanë pësuar rritje prej 20-50% në disa raste.
Kurse energjia elektrike dhe karburantet kanë pësuar rritje të konsiderueshme në disa raste duke tejkaluar 30%.
Për krejt këtë situatë kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i tha Ekonomia Online, se Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator dhe nuk bënë politika të favorshme për të.
Kaçaniku shtoi se mbi 90 për qind vendi ynë importon produkte dhe se asnjë premtim nuk është zbatuar që importi të zëvendësohet me prodhime vendëse.
“Kur të nis nuk ka të ndalur, arsyet janë të shumta, por që ne kryesisht bazohemi në ndikimin e tregut global, janë ndikimin e krizave dihet botërisht që Republika e Kosovës është importuese e madhe shumë pak prodhojmë mbi 90 për qind importojmë, së bashku me importet i importojmë edhe çmimet e ngritura dhe inflacionit. Brenda vetës ne nuk kemi ende potencial as kapacitet që të mbrohemi nga inflacioni i importuar, ne vetëm duhet të presim kur të ndalet por tek ne nuk do të ndalet kurrë. Qeveria nuk mund të ndërmarrë asgjë nëse nuk ka platformë, shtylla e parë që i mungon Qeverisë është njohja qytetarja e konsumator dhe bërja e politikave të favorshme për qytetarët konsumatorë”.
“Nevoja para konsumit është elementi kryesore e socio-ekonomike dhe pa nevojë nuk ka prodhim, arsyeja tjetër është sepse ne nuk kemi strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, prandaj nuk kemi ku të bazohemi. Asnjë propozim dhe as një premtim nga 99-ta e këndej nuk është marrë parasysh dhe nuk janë zbatuar. E kam fjalën për prodhimet e importuara do të zëvendësohen me prodhimet vendore. Jo që Kosova nuk ka dituri, por sikur dikush qëllimisht e pengonte, do ta thirrja Qeverinë që së bashkë me tregtinë të bëjnë një marrëveshje që të paktën mos ta injoroj prodhimin vendor. Dikush qëllimisht e injoron prodhimin vendor sepse nuk ka përfitime të mëdha aty, por më shumë ka përfitime te prodhimet e importit. Pastaj aty bëhen disa marrëveshje që Qeveria nuk i njeh, ndërsa ne si qytetarë ne i njohim sepse po ballafaqohemi me to çdo ditë të cilat Qeveria nuk i sheh”.
Për Qeverinë, Kaçaniku ka potencuar se më shumë po merret me popullizëm dhe gjithë kjo, sipas tij, është bërë për vota.
Siç theksoi ai, niveli qendror ka mashtruar qytetarët “kinse me rritje të pensioneve”, por në fakt qytetari ka kontribuar si taksa pagues i buxhetit të shtetit.
“Këtë vendim Qeveria nuk ka mandat të caktoj reciprocitete, e të merret me popullizëm, me politizime por ka mandatin të bëjë politika të mira. Dhe politika e mirë ka të bëjë me njohjen e qytetarit konsumator dhe këtë nuk e ka bërë, kemi pasur ligje të mira të cilat kjo Qeveri por edhe të tjerat kanë qenë dashur t’i zbatojnë, janë marrë me popullizma, dhe kjo po bëhet për vota”.
“Asnjë legjislaturë qeveritare nuk ka bërë asgjë për qytetarin konsumator, asnjëra, sepse nuk e njohin qytetarin konsumatorë, njëherë është taksa pagues si i tillë është zgjerues kryesor i buxhetit të shtetit, pra po financojmë shtetin Qeverinë dhe ia japim në mirëbesim që ta menaxhojnë. Ky buxhet Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator në asnjë trajtë tjetër, na mashtroi edhe me ngritje të pensioneve, kinse dikush po jep nga buxheti i tij”, potencoi Kaçaniku.
“Të gjitha taksat i kanë marrë ose prodhuesit ose tregjet tjera, por qytetari konsumator nuk e ka shijuar, ne shumë shtrenjtë po na kushton kjo klasë politike. Ne nga të gjitha anët jemi të rrethuar nga ata që vetëm duan të kapin të zhvatin dhe ne jemi në shtetin tonë kemi mbetur si fëmijë vonjak”.
Edhe qytetarët mendojnë që krahas pagave në Kosovë, çmimet e produkteve janë të papërballueshme për ta. Xhafer Berisha tha se krahas premtimeve të dhëna nga Qeveria, nuk është bërë asgjë për realizimin e kërkesave të qytetarëve.
“Çmimet kanë shkuar astronomike, sipas premtimeve që ka dhënë kjo Qeveri nuk i ka mbajtur premtimet, çmimet kanë shkuar shumë lartë, kurse pagat janë dobëta. Këtu çmimet janë katastrofale dhe të papërballueshme, por po duhet disi me ia dalë sidomos shtresa të cilat kanë problemet financiare, shpresojmë që kjo Qeveria në ardhje do të merret me hallet e qytetarëve të cilët janë të papërballueshme dhe nuk janë as reale as njerëzore krahas premtimeve të dhëna, e shumë dikaster të tjera kanë ngecur të cilat çmimet kanë shkuar kurse pagat nuk janë askund”.
“Kërkesa e Kurtit është që t’i përmbush premtimet e dhëna. Nuk janë askund ato premtime krahas me çmimet ekzistuese. Qytetari po i vuan këto çmime dhe këto standarde që i kemi katastrofale”, ka thënë Berisha.
Muharrem Hoxha ka deklaruar se çmimet janë të papërballueshëm e sidomos për pensionistët që nuk kanë të ardhur tjetër përpos 120 eurove, raporton EO.
“Çmimet nuk ka nevojë me pyet sepse po e dimë se sa po përballohet, sidomos ata që kanë mbetur me pension të pleqërisë 120 euro, çka me bë me ta nuk i dalin as më barna e jo për gjëra të tjera. Të gjitha po i bëjnë për me marrë vota, duhet të rrisin pagat, pastaj edhe blerja dhe prodhimi bëhet më e madhe, për ata edhe po ikin njerëzit, unë i kam katër fëmijët në perëndim. Djalin e kam me magjistër dhe arsimtar por ka ikë jashtë vendin”.
Edhe Fatmir Berisha tha se të ardhurat janë të pakënaqshme, krahasuar me shtrenjtimin e vazhdueshëm çmimeve, raporton EO.
“Rritje të çmimeve sa të duash por të përballueshme aspak. Tregu i lirë i dikton këto, janë të pa përballueshme sepse jeta shumë e shtrenjtë të ardhurat jo të kënaqshme. Kishte me qenë mirë që të ardhurat të rriten dhe çmimet të zvogëlohen. Si pensionist jam deri diku i kënaqur me këtë Qeveri”.