Çmimi i BQK-së për shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar

Prishtinë | 01 Sht 2025 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të nxitjes së raportimit për sistemin financiar, shpall thirrjen për shkrimin dhe raportimin më të mirë të ekonomisë – sistemi financiar, të botuar në shtypin e shkruar ose online, si dhe në mediet radio e televizive.

Kjo thirrje synon të vlerësojë dhe të shpërblejë gazetarinë më të mirë në fushën e ekonomisë, me fokus të veçantë në sistemin financiar. Në një kohë kur transparenca dhe informimi i saktë mbi çështjet financiare janë thelbësore për qytetarët dhe bizneset, ky çmim do të njohë dhe promovojë gazetarët që ofrojnë analiza të thelluara, hulumtime cilësore dhe raportime të balancuara mbi sistemin financiar.

Çmimi do të jetë tradicional dhe do të ndahet çdo vit, përkatësisht më 15 nëntor – Ditën e themelimit të Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës.

Çmimi i BQK-së për shkrimin dhe raportimin më të mirë, për vitin 2025 është i ndarë në:

  • Shkrimi më i mirë i publikuar në gazetë (online dhe PDF) (1);
  • Shkrimi më i mirë i publikuar në medie online/web portal (1);
  • Raportimi më i mirë i transmetuar në televizion (1); dhe
  • Raportimi më i mirë i transmetuar në radiostacion (1).

Komisioni Përzgjedhës do të jetë i përbërë nga profesionistët e fushës (së gazetarisë) së ekonomisë e financave dhe ekipi i BQK-së, ku do të vlerësojë aplikimet bazuar në saktësinë, objektivitetin, ndikimin dhe kreativitetin e raportimit.

Shkrimet apo raportimet duhet të jenë të botuara, publikuara dhe të emetuara gjatë vitit aktual, përkatësisht nga 1 janari 2025 deri më 31 tetor 2025.

Artikujt duhet të trajtojnë tema që lidhen me sistemin financiar, si bankat, sigurimet, pensionet, gjithëpërfshirjen financiare dhe inovacionin financiar, etj.

Raportimet duhet të bazohet në të dhëna të sakta, të ketë hulumtim të thelluar dhe qasje objektive dhe të ketë ndikim publik dhe të ndihmojë në ngritjen e edukimit financiar.

Aplikacioni duhet të ketë një përmbledhje të shkurtër/letër mbështetëse, e cila shpjegon se si janë përdorur apo siguruar të dhënat gjatë ndërtimit të artikullit apo raportimit.

Afati për dorëzimin e shkrimeve apo raportimeve: 31 tetor 2025.

Fituesit e çmimeve do të marrin mirënjohje nga BQK-ja dhe shpërblehen financiarisht.

Punimet duhet të dorëzohen në version elektronik në formatin MS Word apo PDF duke ia bashkangjitur lidhjen se ku është publikuar shkrimi/raportimi, në adresën elektronike [email protected] ose të shtypura në adresën: Garibaldi 33, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës, me mbishkrimin “Çmimi i BQK-së për shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar”.

Të ngjashme