Parlamenti Evropian i dha regjisorit ukrainas, Oleg Sentsov, çmimin e tij prestigjioz për lirinë e mendimit, të njohur si Sakharov.
Sentsov është i burgosur në Rusi për shkak të kundërshtimit të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska.
“Përmes guximit dhe vendosmërisë, duke rrezikuar jetën e tij, krijuesi i filmit, Oleh Sentsov, është bërë simbol i luftës për lirimin e të burgosurve politikë që mbahen në Rusi dhe në gjithë botën”, tha presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.
“Duke e shpërblyer atë, Parlamenti Evropian shpreh solidaritetin e tij me të dhe me kauzën e tij”, shtoi Tajani.
Ai u bëri thirrje autoriteteve ruse që të lirojnë Sentsovin “menjëherë”, duke thënë se ai është në gjendje të keqe shëndetësore.
Sentsov, këtë muaj, i dha fund grevës së urisë, që mbajti për 145 ditë në një burg në veri të Rusisë.
Ai po shërben dënimin prej 20 vjetësh burgim, pasi u shpall fajtor për terrorizëm.
Sentsov, grupet për të drejtat e njeriut dhe qeveritë perëndimore thonë se gjykimi i tij ka qenë i motivuar politikisht.