Salla e madhe e Kuvendit Komunal në Gjilan ishte “arenë e vogël titanësh” të fjalës së shkruar shqipe në prozë e poezi, pjesëmarrës në konkursin letrar “Pena e Flakës 2017”.
Krijues të pranishëm në këtë kremt letrare nga hapësira mbarëshqiptare ishin dëshmitarë të njërës nga ngjarjet më të mëdha të letrave shqipe viteve të fundit, madje në mbarë gjeografinë shqiptare: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Mali i Zi e Qamëri.
“Ora e madhe letrare”, ashtu siç ka filluar edhe ka përfunduar me deklamim poezish, në dedikim të kolosit të kara-dakut Idriz Seferi, në jubileun e 70-të të të cilit është duke u mbajtur manifestimi “Flaka e Janarit 2017”, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.
Çmimi i parë për poezinë më të mirë të lexuar i ka takuar poetit Agron Tufa, i cili prezantoi para auditorit të pranishëm vargje nga krijimtaria e tij.
Edicioni i këtij viti, i 26-ti me radhë, i shtyllës mbase më të veçantë “Pena e Flakës 2017”, ashtu siç është paralajmëruar edhe dëshmuar me prurje cilësore nga pjesëmarrësit e shumtë në “Ora e madhe letrare”, sikundër që ka spikatur edhe pjesëmarrja e autorëve të shquar me krijimet e tyre në konkursin letrar “Pena e Flakës 2017” në përgjithësi, si në prozë, ashtu edhe në poezi.
Në mesin e 97 poezive dhe 44 tregimeve të shkurtra konkurruese, juria ka përzgjedhura ato të cilat i ka vlerësuar më të arrira: “Eh Penelopë që thure e ç’thure veten”; “Ëndrra e saj” dhe “Lyra e shpirtit tim”, ishin krijimet në poezi, të përzgjedhura dhe prezantuara me shifra.
Po ashtu juria ka bërë edhe përzgjedhjen e tri tregimeve të shkurta, nga 47 gjithsej sa kishin arritur në përgjithësi në redaksi me shifra.
Sabit Rrustemi njëri nga promotorët e shtyllës së manifestimit “Pena e Flakës 2017”, është deklaruar tejet i kënaqur me krijimet letrare e poetike në përgjithësi, derisa ka konstatuar atë që kishte paralajmëruar më parë se ky edicion do të jetë i veçantë si në sasi po ashtu edhe cilësi.
“Kjo ishte ndër orët më cilësore të manifestimit “Flaka e Janarit” për vet faktin se morën pjesë numër i madh krijuesish, mbi njëqind të tillë, në konkursin letrar, mes tyre 44 tregimtarë dhe 25 poetë tjerë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo dëshmon për vlerat dhe prurjet e mirëfillta në këtë edicion të shtyllës “Pena e Flakës”, ka thënë Rrustemi
Ndërsa krijuesja Fatime Kuli nga Shqipëria, me origjinë nga Çamëria, pasi ka vënë në spikamë pjesëmarrjen e saj të parë në këtë ngjarje të përvitshme letrare, është shprehur të jetë “intriguar” nga emërtimi i manifestimit “Flaka a Janarit”. Pikërisht ky emërtim ka thënë të ketë qenë arsyeja që e ka nxitë të jetë pjesë e konkursit letrar.
“Vlerat e letërsisë së mirëfilltë numërohen me gishtat e dorës. Mua më pëlqen të ketë prurje qoftë edhe duke vargëzuar, sepse përmes shumicës mund të nxjerrim vlerat. Është shumë optimiste prurja e zërave të rinj poetik, sepse nga ta mund të dalin edhe vlerat të cilat shqiptarët e Kosovës i kanë pasur që nga Esad Mekuli, Ali Podrimja e shumë të tjerë, e që janë shkolla të poezisë shqipe në përgjithësi, itinerar udhërrëfyes nga duhet udhëtuar brezat e rinj”, ka përfunduar ajo.
Ndërsa krijuesi Nexhat Rexha, duke i bërë një përshkrim shtyllës letrare të manifestimit, është shprehur në superlativ për prurjet letrare të këtij viti. Ai ka vënë në spikamë se ky edicioni i shtyllës “Pena e Flakës” është dëshmuar nga më cilësore deri më tani.
Sipas tij “Pena e Flakës këtë vit ka sjellë një risi që dallon nga vitet e kaluara, pasi krijuesit pjesëmarrës janë dëshmuar paraprakisht me krijimet e tyre, të publikuara përmes rrjeteve sociale.
Çmimi i parë për autorin Agron Tufa në kuadër të orës së madhe letrare ishte më se i merituar”, ka thënë Rexha ndërsa ka vlerësuar edhe manifestimin “Flaka a Janarit 2017” si tërësi në përgjithësi.
Të gjitha punimet e shpërblyera sikurse edhe punimet e përzgjedhura nga juria është bërë e ditur se do të botohen në numrin e 20-të të revistës letrare “Agmia”.
Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë: ‘Eh Penelopë qe thurr e shthurr veten’, shifra: Gladiatori.
Shpërblimi i dytë poezisë: ‘Ëndrra e saj’, shifra: E kujt ishte ëndrra.
Shpërblimi i tretë poezisë: ‘Lyra e shpirtit tim”, shifra: Dëgjoje zërin tim.
Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Njeriu me ngjyrën e tokës”, shifra: Aviatori
Shpërblimi i dytë: “Ti dhe hëna’, shifra: Hëna.
Shpërblimi i tretë: ‘Te qershia e kuqe”, shifra: Kokrra e qershisë dhe “Aromë bujarie”, shifra: Diaus.