Rrjeti kabllor televiziv, CNN ka paditur administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për shkak të heqjes së kredencialeve të gazetarit të kësaj kompanie në Shtëpinë e Bardhë, Jim Acosta, duke pretenduar se ka shkelur të drejtën kushtetuese për liri të shtypit.
“Ne i kemi kërkuar gjykatës që përmes një urdhri të menjëhershëm të kthehet gazetari Jim Acosta dhe kemi kërkuar lirim të përhershëm në kuadër të këtij procesi”, ka njoftuar CNN më 13 nëntor.
Shtëpia e Bardhë ia pezullon qasjen gazetarit të CNN-it
“Ndonëse padia është specifike për CNN-in dhe Acostan, kjo mund t’i kishte ndodhur secilit. Nëse mbeten të pasfiduar, hapat e Shtëpisë së Bardhë do të krijonin një efekt të rrezikshëm për secilin gazetar që mbulon zyrtarët tanë të zgjedhur “, ka thënë ky rrjet.
Trump ka kritikuar vazhdimisht mediat amerikane, duke i cilësuar disa prej tyre me raste edhe si “armiq të popullit amerikan”, duke shënjestruar CNN-in dhe Acostan me sulme të drejtpërdrejta verbale.
Acosta në anën tjetër ka sfiduar shpesh presidentin amerikan gjatë konferencave për media.
Shtëpia e Bardhë i ka pezulluar Acostas kredencialet pasi ai dhe Trump kanë pasur një përballje të ashpër verbale, gjatë konferencës pas mbajtjes së zgjedhjeve për Kongresin amerikan më 7 nëntor.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka arsyetuar vendimin e Shtëpisë së Bardhë kundër gazetarit duke thënë se Acosta “i ka vendosur duart drejt një gruaje të re që ka qenë duke e bërë punën e saj si praktikante” dhe ka cilësuar veprat e tij “plotësisht të papranueshme”.
Acosta ka thënë më pas përmes një postimi në Twitter se pretendimet e Sandersit janë gënjeshtra.