Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skënder Çoçaj, ka pritur në takim Kryeshefin ekzekutiv të Fondacionit Millennium Kosova, Petrit Selimi.
Fondacioni Millennium Kosova është entitet implementues i Programit Threshold mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Millennium Challenge Corporation, agjenci e pavarur e SHBA-ve për mbështetje në luftën kundër varfërisë globale. Ky program, mes tjerash, trajton edhe pengesat në zhvillimin ekonomik.
Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me mundësitë e bashkëpunimit të KGjK-së me këtë Fondacion dhe përfitimeve të mundshme që ky program i ofron në përmirësimin e efiçiencës energjetike dhe në fushën e sundimit të ligjit.
Gjithashtu, u diskutua edhe për përkrahjen që do t’i jepet KGJK-së në avancimin e Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) me funksione të reja. Konkretisht në krijimin e mundësisë për t’ju dhënë palëve qasje në informata për rastet që mund të kenë në gjykata. Për të avancuar dhe përmirësuar publikimin e raporteve statistikore në portalin e KGJK, si dhe në fusha tjera me rëndësi që mund të përmirësojnë transparencën dhe efikasitetin e punës së gjykatave.