Organizata “Çohu”, ka prezantuar të gjeturat e Raportit për Vlerësimin e Korrupsionit në Kosovë për vitin 2023, raporton Ekonomia Online. Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës “Çohu”, tha se raporti i vlerësimit të korrupsionit, qëndron mbi hulumtimin e perceptimit të qytetarëve mbi korrupsionin, i cili hulumtim është realizuar gjatë muajve korrik dhe gusht, 2023, në të cilin kanë marrë pjesë 1001 qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas të dhënave del se 50% e qytetarëve mendojnë se shumica e zyrtarëve janë të përfshirën në korrupsion. 44.1% e tyre i shohin si të korruptuar liderët e partive, 40% e ministrat kurse 39.5% tyre thonë se deputetëve janë pjesë e korrupsionit.
47.4% e qytetareve mendojnë se disa prej gazetarët janë të përfshirë në korrupsion. 39.5% mendojnë se edhe mësimdhënësit janë të përfshirë në këtë dukuri. Përderisa thonë se 37.5% e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë janë të korruptuar.
Sipas tij, të gjeturat e hulumtimit të prezantuar reflektojnë një pasqyrë shumëdimensionale të perceptimit të qytetarëve lidhur me korrupsionin në sektorin publik, ku është vërejtur një shkallë e gjerë e perceptimit të qytetarëve për prezencën e korrupsionit në nivele politike dhe administrative, në sektorin e drejtësisë, komunave, sektorin shëndetësor, ATK-së dhe Doganave, etj.
Megjithëse sipas tij, në nivelin e përgjithshëm të trendit të korrupsionit, Raporti e kanë nxjerrë Kosovën në pozitën më të mirë në rajon, krahasuar me vendet ku është realizuar matja e ngjashme nga partnerët implementues të projektit, si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Bosnja dhe Shqipëria.
“Hulumtimi ka nxjerrë edhe vlerësime lidhur me preferencat e qytetarëve të Kosovës në raport me vendet partnere, ku ShBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO vazhdojnë të jenë në krye të këtyre preferencave, njëkohësisht edhe vlerësime për ndikimet rajonale e globale në vend, përfshirë edhe perceptimet për rolin e Rusisë dhe Kinës në zhvillimet që reflektojnë në Kosovë”.
Ai ka sqaruar se hulumtimi po ashtu ka nxjerrë të dhënat për nivelin e shikueshmërisë së televizioneve që transmetohen në nivel vendi, ku prijnë mediumet si Klan Kosova, RTK, RTV 21, RTV Dukagjini, KTV, ATV, T7, Kanal 10 dhe Tëvë1.
“Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të implementuar nga organizatat partnere në shtatë vende të Ballkanit në kuadër të Rrjetit Rajonal SELDI”.