Pjesa e fjalimit të presidentes Vjosa Osmani, ku tha se pranimi i moratoriumit njëvjeçar për moslobim të njohjeve të reja të Kosovës në Marrëveshjen e Washingtonit cenoi rendin kushtetues, shkaktoi debat në opinion mbi atë se nuk është e kritikueshme një marrëveshje që zë fill brenda Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Analisti politik, Bekim Çollaku, më shumë po e sheh si arsyetim të dështimit në politikën e jashtme dhe si pajtim të Osmanit me qëndrimin kundërshtues të kryeministrit Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit.
“Në fjalim e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës i cili u bojkotua nga pjesa dërmuese e opozitës, presidentja e vendit tërthorazi ka kritikuar edhe marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidentja në përpjekjen e saj për të justifikuar dështimet serioze në politikën e jashtme të Kosovës, ndër të tjera ka thënë se “moratoriumi i përcaktuar në marrëveshje cenonte rëndin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidim ndërkombëtar…”. Kjo është një dëshmi e qartë se presidentja mban të njëjtin qëndrim kundërshtues njësoj sikur kryeministri Kurti lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit dhe obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje”, ka thënë Çollaku .
Çollaku tha se kjo qasje e institucioneve tona jo vetëm se është në kundërshtim me politikën e jashtme të SHBA-së në relacion me Kosovën, mirëpo ajo as nuk mund të përdoret si arsyetim për dështimet e Kosovës në politikën e jashtme gjatë këtyre viteve të fundit.
“Në mungesë të dijes dhe vizionit të qartë për të ecur përpara në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe përmbylljes së shtetndërtimit, udhëheqësit aktualë shtetërorë po humbasin energji duke gërmuar në të kaluarën për të arsyetuar dështimet e tanishme. Kjo është një qasje totalisht e gabuar”.
Megjithatë, Osmani para deputetëve të premten tha se politika e jashtme e Kosovës tashmë është në rrugë për të mbrojtur interesat shtetëore.
“Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Tani, këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa rreshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”, tha ai, shkruan KlanKosova.
Edhe administrata aktuale e Joe Biden pati deklaruar se qëndrimi i SHBA-së mbi marrëveshjen trelaterale mes Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së mbetet i pandryshuar dhe se palët duhet të zbatojnë zotimet e nënshkruara.