Mediet ndërkombëtare pas një kohë të gjatë, e kanë rikthyer vëmendjen te dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.
E përditshmja prestigjioze britanike “The Guardian” në artikullin e saj ka cituar Bekim Çollakun, shefin e stafit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas Çollakut, marrëveshja në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përfundimtare dhe historike, në mënyrë që t’i epet fund njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjeve ndërmjet dy shteteve.
Ai për “The Guardian” ka thënë se të dy palët dhe bashkësia ndërkombëtare janë duke menduar intensivisht për të gjetur një zgjidhje kreative dhe të pranueshme për dyja palët.
“Objektivi i Kosovës është i qartë: nuk ka ndarje sipas vijave etnike, por vetëm korrigjim paqësor të kufirit dhe njohjen reciproke “, ka shtuar Çollaku.
Ai ka këmbëngulur se një zgjidhje e pranueshme reciprokisht “nuk do të destabilizojë rajonin dhe nuk mund të ketë ndonjë efekt domino”.