Antonio Conte është në pritje të një atmosfere “elektrike” kur Inter udhëton për të luajtur sonte në mbrëmje kundër Borussia Dortmund në Ligën e Kampionëve.
Të dy ekipet kanë pikë të barabarta (4) në grupin e tyre në Ligën e Kampionëve pas tre ndeshjeve, megjithëse Interi është përpara në vendin e dytë, pas fitores 2-0 ndaj Dortmundit herën e fundit.
“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, ne kemi të njëjtin numër pikësh si Dortmund, ndërsa unë mendoj se Barcelona tashmë është në raundin tjetër”, tha Conte në një konferencë për shtyp, përcjell lajmi.net.
“Gjermanët janë një ekip i fortë dhe i provuar, të cilët kanë vite që luajnë në Ligën e Kampionëve”.
“Një atmosferë elektrike na pret, kështu që do të na duhet shumë karakter. Ndeshjet si kjo janë vendimtare për rritjen tonë”, përfundoi ai.