Trajneri i Interit, Antonio Conte, nuk ka mundur t’i durojë ankesat e njëpasnjëshme të mesfushorit të vet, Arturo Vidal, në lidhje me gjyqtarin, pasi është dëgjuar duke i thënë atij të mos bëhet i bezdisshëm por të luajë futboll.
Vidali e pati një paraqitje për t’u harruar në fitoren e thellë të Interit 6:2 kundër Crotones të dielën në Serie A, transmeton Gazeta Express.
Përveç se ishte i ngathtë në fushë, mesfushori kilian e shkaktoi edhe një penallti që ia mundësoi vizitorëve ta barazonin rezultatin në 2:2 në minutën e 35-të.
Ish-ylli i Juventusit dhe Barcelonës i vazhdoi ankesat ndaj gjyqtarit edhe pasi Vladimir Golemic kishte shënuar nga penalltia, por Conte i kërkoi ta mbyllte gojën.
“Thjesht luaj dhe mos më lodh më shumë”, është dëgjuar Conte duke i thënë Vidalit pas golit të barazimit nga Crotone.
Conte e nxori Vidalin nga loja në pushimin mes pjesëve dhe Interi e shkatërroi Crotonen në pjesën e dytë me Stefano Sensin në vend të kilianit.