Coronavirusi e lë pa punë kryefamiljarin nga Lipjani

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Pandemia e COVID-19, e cila ka lënë shenjat e para në ekonomitë botërore, ka nisur të ketë efektet e para negative edhe në Kosovë.

Kështu, rreth 300 mijë punëtorë të sektorit privat në vend, sipas Odës Ekonomike të Kosovës e kanë në pikëpyetje nëse do të marrin paga në këtë kohë, kur shumica e bizneseve private janë mbyllur, si masë për parandalimin e Coronavirusit, raporton KOHA.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka prezantuar një pako, sipas së cilës këta punëtorë që nuk paguhen, do t’u jepet nga një pagë minimale nga buxheti i shtetit.

Por, tashmë shkaku i pandemisë, kosovarët kanë nisur t’i humbasin vendet e punës.

Një 49-vjeçar nga Lipjani, i cili nuk ka dashur që t’i zbulohet identiteti, ka thënë se më 10 mars është larguar nga puna.

Ai ka punuar në një biznes privat tash e 8 vjet dhe arsyeja e largimit nga pronarët i është thënë se është pamundësia për t’i paguar të gjithë punëtorët.

Ai tutje ka treguar se nuk ka burim tjetër financiar dhe se për këtë tashmë i është drejtuar Ministrisë së Financave.

Zyrtarë të Komunës së Lipjanit thonë se nuk janë të informuar për raste specifike, por janë duke punuar për t’i ndihmuar familjet që kanë nevojë.

Veprime për ndihmë në këtë kohë krize ka kërkuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Shkaku i pandemisë së COVID-19, shumica e shteteve të botës kanë marrë masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e virusit, kryesisht duke mbyllur kufijtë e shumicën e bizneseve dhe qarkullimin.

Kjo ka bërë që të ketë ndikim në ekonomitë gjithandej botës, ku vetëm brenda një jave në ShBA janë raportuar 3.3 milionë njerëz që kanë mbetur pa punë shkaku i COVID-19.

Të ngjashme