Koronavirusi i ri mund të ketë qenë duke u përhapur në Kinë nga gushti i vitit 2019, sipas një hulumtimi të bërë nga Shkolla Mjekësore e Harvardit bazuar në imazhe satelitore të lëvizjeve në spitale dhe nga të dhënat e kërkimeve, shkruan agjencia Reuters.
Hulumtuesit kanë përdorur imazhe satelitore të rezolucionit të lartë të parkingut të spitalit në Wuhan – ku sëmundja u paraqit në fund të vitit 2019 – dhe po ashtu kërkimet e bëra për simptomet e lidhura si “kollë” e “diarre”.
“Ngarkesa në spitale dhe të dhënat e kërkimeve në Wuhan i kanë paraprirë fillimit të dokumentuar të pandemisë SARS-CoV-2 në dhjetor të vitit 2019. Derisa nuk mund ta konfirmojmë nëse rritja e kësaj ka të bëjë direkt me virusin e ri, dëshmitë tona përkrahin punën që tregon se virusi ka qenë prezent para identifimit në tregun në Huanan”, sipas hulumtimit. “Këto zbulime po ashtu vërtetojnë hipotezën se virusi u shfaq natyrshëm në jug të Kinës dhe potencialisht ka qarkulluar më herët se të rasteve në Wuhan”, shkruhet në raport.
Po ashtu është parë një ngarkesë e madhe në parkingun e spitalit në gusht të vitit 2019.
“Në gusht, ne kemi parë një rritje të kërkimeve për diarre në nivel që nuk kishte pasur as në sezonet e kaluara të grupit. E po ashtu pati edhe kërkime në internet edhe për kollë”, thuhet.